E Shtunë, 31 Tetor 2026

Aksion kundër grabitësve, plagoset inspektori i zonës

 

SARANDE - Plagoset në një aksion policor inspektori i rendit në Sarandë, Roland Merko. Ngjarja ndodhi dje kur efektivë të rendit tentuan të kontrollojnë një banesë në vendin e quajtur, “Kryqëzimi i Mish Peshkut”. Por në banesën e dyshuar, kanë dalë papritur tre persona të cilët janë konfrontuar me blutë. Ndaj Merkos kanë vërshuar grushte, shkelma e sende të forta. Në përpjekje për t’u vetëmbrojtur ai ka nxjerrë armën duke qëlluar në ajër. Autorët e ngjarjes janë larguar me shpejtësi, ndërsa inspektori i rendit përfundoi me plagë në spitalin e qytetit, por gjithsesi jashtë rrezikut për jetën. Pas më pak se dy orësh nga ngjarja e mesditës, policia e Sarandës bëri të mundur identifikimin dhe më pas arrestimin e Geard Çoçka, Xhafer Bajo dhe Roland Aliaj. Që të tre këta shtetas janë banorë të qytetit të Sarandës. Ndalimi i tyre u bë pasi ata në bashkëpunim me njëri-tjetrin dhunuan me mjete të forta inspektorin e rendit të lagjes nr.4 Roland Merko, gjatë ushtrimit nga ana e tij të detyrës. Sipas burimeve, të tre personat janë me precedentë penalë. Geard Çoçka, banor i lagjes Limjon (lagje ku kanë ndodhur vjedhjet e muajve të fundit), dyshohet si autor i vjedhjes në dyqanin e optikës së 30 mijë eurove, në atë të kozmetikës me 20 mijë euro, i dyshuar për vjedhjen e dy motorave të turistëve të huaj tek hotel “Palma”, si dhe për një ngjarje të ndodhur ditët e fundit, vjedhja me armë e maska në një banesë në këtë qytet.                                   sh.d

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›