Kapet me armë e municione gardiani
FUSHE KRUJE- Arrestohet efektivi i policisë së burgut të sigurisë së lartë në Fushë Krujë, pasi iu gjetën një armë automatike që e mbante pa leje si dhe municione të tjera luftarake. Sipas policisë, prangosja e Robert Prushit u krye rreth orës 22:30 të së hënës. Policia Kriminale kishte mësuar në rrugë operative se 39-vjeçari, mbante në makinën e tij municione. Kjo ka bërë që shërbimet e policisë të ngrenë një postbllok dhe ta ndalojnë atë në dalje të qytetit. Sipas burimeve, gjatë kontrollit të ushtruar në automjetin e tij tip “Benz Mercedes”, ngjyrë blu me targe BTO 306 E është gjetur në bagazhin e saj një automatik model 56 kalibër 7.62 mm me një karikator në të me 30 copë fishekë, si dhe një thes i bardhë brenda të cilit ndodheshin edhe 3 karikatorë të tjera. Prushi deklaroi se i mbante ato që në vitin 97. Policia po kryen ekspertizën e armës për të vërtetuar nëse është përdorur për ndonjë ngjarje kriminale. r.n