Dy adoleshentë në pranga për shtatë grabitje
TIRANE - Policia e Tiranës ka arrestuar dy adoleshentë, të cilët dyshohen se janë autorë të vjedhjes së disa banesave në zona të ndryshme të kryeqytetit. Sipas një njoftimi për shtyp mësohet se janë arrestuar 16-vjeçari me iniciale E.M. dhe 17-vjeçari me iniciale O.H., të cilët akuzohen për të paktën 7 vjedhje banesash në Tiranë, të dokumentuar. Ndërsa burime nga policia thanë se ata po hetohen edhe për disa vjedhje banesash dhe lokalesh, të cilat ende janë të pazbardhura nga policia. Sipas policisë, dy adoleshentët në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë realizuar vjedhjen e një banese më datë 26 maj të këtij viti. Ndërsa sipas policisë kanë realizuar disa vjedhje në të njëjtën ditë të muajit gusht. Më datë 25 gusht kanë hyrë në një shtëpi dhe kanë vjedhur 210 mijë lekë, një unazë floriri dhe një celular. Disa orë më parë kanë vjedhur një tjetër banesë, ku kanë marrë 125 mijë lekë të reja, një varëse floriri dhe dy celularë. Gjithashtu në një shtëpi tjetër kanë vjedhur 100 mijë lekë, një varëse floriri dhe një celular. Ditën e 25 gushtit e kanë mbyllur edhe me një tjetër banesë të vjedhur, ku kanë marrë 125 mijë lekë të reja, një unazë floriri dhe 2 celularë. Me gushtin ata e kanë mbyllur “aktivitetin” e tyre, për një muaj nuk kanë vjedhur, ndërsa në tetor kanë hyrë sërish në një shtëpi, ku kanë vjedhur para dhe disa sende me vlerë.