Itali, vdes në spital burri që vrau gruan
PIAÇENZA - Depresioni i shkaktuar nga pamundësia për të tërhequr vajzën adoleshente nga Shqipëria në Itali, dyshohet se i ka shkaktuar depresion emigrantit Ajet Hajdini, i cili ka goditur me thikë gruan dhe i ka vënë flakën pasi e ka lyer me alkool. I penduar nga veprimi që kishte kryer, 48-vjeçari është hedhur edhe vetë në zjarr, duke përfunduar në spital në gjendje të rëndë dhe nga plagët e rënda ka ndërruar jetë mëngjesin e djeshëm. Sipas mediave italiane, policia fillimisht ka shkuar për të shuar zjarrin në katin e katërt, që u lajmërua nga fqinjët dhe kanë parë që bëhej fjalë për një vrasje dhe një vetëvrasje. Ky ka qenë bilanci paraprak i policisë për zjarrin në apartamentin e çiftit shqiptar në provincën Fiorenzula të Piaçenzas në Itali. Por më pas gjithçka u kthye në tragjedi për çiftin Ajet dhe Shpresa Hajdini, 48 dhe 45-vjeçarë. Hetimet e policisë italiane kanë zbuluar se mbrëmjen e së hënës, burri ka therur me thikë gruan e tij para se ta lyente me alkool dhe t’i vinte flakën. Ndërsa vetë, pasi është hedhur në flakët e përhapura në shtëpi, ku digjej gruaja e tij, është dërguar me urgjencë në spital ku ka vdekur mëngjesin e djeshëm. Sipas policisë italiane është e vështirë që të japin një shpjegim për ngjarjen e rëndë. Njoftimet paraprake që policia jep për median flasin për një depresion të Ajet Hajdinit, i shkaktuar si nga papunësia, ashtu edhe nga burokracitë që kishte hasur për të marrë në Itali vajzën e tij adoleshente, e cila vazhdonte të qëndronte në atdhe, edhe pse prindërit jetonin jashtë shtetit. Gjithçka mbetet ende e paprovuar për policinë, e cila ka nisur hetimet për zbardhjen e ngjarjes.