E Shtunë, 31 Tetor 2026

Aksion në Ohër, 45 gjoba për gjuajtësit e koranit

• Aksion kundër gjuajtësve të koranit. Plot 23 motorë varkash dhe qindra metra linearë rrjeta lundruese e linja grepash janë bllokuar nga grupi i kontrollit në liqenin e Ohrit, në mbrojtje të peshkut të rrallë në rang botëror.POGRADEC/ JORGJETA GJANÇINdonëse gjuetia është ndaluar nga dhjetori deri në mars, pasi përkon me periudhën e shumimit, faktet tregojnë se aktiviteti nuk është ndalur. Që në orët e para pas mesnate një grup specialistësh nga Ministria e Mjedisit, Pyjeve e Administrimit të Ujërave në bashkëpunim me Organizatën e Menaxhimit të Peshkimit Pogradec, policinë kufitare dhe inspektoratet lokale e qendrore, kanë hyrë në thellësi të liqenit për të kapur gjuajtësit ilegalë të koranit. Ky aksion kishte për qëllim të pastronte liqenin nga rrjetat lundruese të thellësisë deri në 250 metra. Sipas specialistes në drejtorinë e politikave të peshkimit në Ministrinë e Mjedisit, Mimoza Çobani gjatë periudhës së shumimit të koranit janë sekuestruar 23 motorë të fuqishëm të markës “foribord”, janë grumbulluar si pajisje të paligjshme peshkimi qindra metra linearë rrjeta dhe linja grepash. Njëherësh janë vendosur edhe qindra gjoba me një shumë prej disa milionë lekësh. Korani aktualisht ka fazën e shumëzimit të vet dhe për të mos e larguar nga brigjet tona apo dëmtuar peshkun e madh e pjellor është shpallur ndalimi i gjuetisë nga 1 dhjetori deri në 1 mars. Edhe pse në këtë periudhë është ndaluar gjuetia e koranit në liqenin e Ohrit, faktet e djeshme të bindin se gjuetia ka vazhduar ilegalisht. Një muaj më parë prefektja e Korçës deklaroi hapur se gjuetia e koranit edhe pse ligji e ndalonte zhvillohej rregullisht. Varkat e peshkimit vazhdonin të lundronin, ndërsa përgjatë rrugës nacionale riti i tregtimit të peshkut të freskët e të porsadalë nga liqeni ishte një fakt mëse bindës për atë që ndodhte ditën e natën në këtë liqen. Mbizotëronte mendimi se ekzistonte një marrëveshje e heshtur edhe me patrullat e Policisë Kufitare dhe grupet e kontrollit të Shoqatës së Menaxhimit të Gjuetisë së Peshkut. Korani duke qenë specie unikale për liqenin e Ohrit ka fituar statusin e mbrojtjes me një ligj të veçantë, por faktet e mësipërme tregojnë se është nëpërkëmbur nga një pjesë e peshkatarëve të këtij rrethi. Inspektorati i peshkimit ka bërë të ditur se gjatë janarit janë kapur në flagrancë duke gjuajtur peshkun e rrallë 45 peshkatarë, të cilët janë gjobitur me 50 mijë lekë dhe janë paralajmëruar për bllokim të licencës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›