Vdekshmëria foshnjore,më e larta në Evropë
• Vdekshmëria foshnjore në vend vijon të mbetet ndër më të lartat në Evropë.Sipas Ministrisë së Shëndetësisë, edhe pse tendenca është në rënie mbetet një nga problemet kryesore të shëndetësisë. “Vihet re një tendencë e zvogëlimit të vdekshmërisë foshnjore (vdekjet e fëmijëve 0-1 vjeç) nga 41.5 vdekje për 1 mijë lindje në vitet 90’, në 13 vdekje për 1 mijë lindje në vitin 2007, megjithatë mbetet larg shifrave të vendeve të Bashkimit Evropian”, bën me dije ministria. Sipas statistikave, shifrat janë më alarmante në rrethet e zonave verilindore, si Dibër, Malësi e Madhe dhe Mirditë. Por vdekshmëri të lartë foshnjore kanë edhe disa rrethe të mëdha të vendit, si Tirana dhe Elbasani. Nga ana tjetër, rënie ka pësuar edhe vdekshmëria amtare. Por shifra prej 16.7 vdekje për 100 mijë lindje mbetet e lartë, krahasuar me mesataren e vendeve të Bashkimit Evropian. Rreth 93% e lindjeve ndodhin në institucionet shëndetësore, ndërsa 7% e lindjeve janë në shtëpi. Ndërprerja e shtatzënisë vazhdon të jetë në nivele të larta (1 në 5 lindje të gjalla). Ministria e Shëndetësisë ka nxjerrë urdhëresa që detyrojnë çdo klinikë private apo shtetërore të raportojë abortet e kryera. Por pjesa më e madhe e tyre nuk e zbatojnë këtë urdhëresë, ndonëse rrezikojnë heqjen e licencës.