Dy ministra në gjyqin e “terroristit”
• Ministri Ridvan Bode dhe paraardhësi i tij te Financat, Arben Malaj, mund të thirren për t’u pyetur si dëshmitarë në gjyqin e Hamzeh Abu Rayyan.Fatos Mahmutaj Gjykata e Krimeve të Rënda vendosi dje të pranonte për të pyetur si dëshmitarë të gjithë personat e kërkuar nga i pandehuri Rayyan dhe mbrojtësi i tij, veç ministrit aktual të Financave Bode, dhe paraardhësit të tij Malaj. Në vendimin e ndërmjetëm në këtë proces, të shpallur dje gjykata argumentoi se për Boden e Malajn do shprehej në një moment më të mëvonshëm të procesit, nëse nuk do arrinte të krijonte bindjen për fajësi apo pafajësi për të pandehurin, pasi të shqyrtoheshin provat e akuzës dhe ato të tjera të mbrojtjes. Po dje gjykata vendosi të pranonte kërkesën e të pandehurit dhe avokatit të tij se do të merrte në cilësinë e provës, dëshminë e sauditit Jasin Kadi nëpërmjet video-konferencës. ProcesiJordanezi Hamzeh Abu Rayyan, mëkëmbësi i Jasin Kadi në Tiranë, u mor në përgjegjësi penale nga Prokuroria e Krimeve të Rënda disa muaj më parë, i akuzuar për pastrim parash dhe administrimin e pronave të Kadi, gjatë kohës që këto duhet të ishin sekuestruar për shkak se ai akuzohej si financues i terrorizmit. Por edhe pas pushimit të akuzave ndërkombëtare ndaj Kadi, Prokuroria shqiptare vazhdoi ende hetimin për mëkëmbësin e tij, por nuk vendosi masë sigurie pasi nuk arriti të gjente prova të mjaftueshme në ngarkim të tij. Në fillim të këtij viti çështja në ngarkim të tij u dërgua për gjykim të Krimet e Rënda, ku pas hedhjes së shortit u caktua Sandër Simoni, kreu i këtij institucioni, si kryesues i kolegjit që do e gjykojë jordanezin. Seancën e parë të procesit jordanezi Rayyan dhe avokati i tij mbrojtës paraqitën kërkesën për pavlefshmëri absolute të 24 akteve kryesore të paraqitura nga Prokuroria, kërkesë që u rrëzua nga gjykata. DëshmitëPas kësaj i pandehuri Rayyan bashkë me mbrojtësin e tij dhe përkthyesin e thirrur nga gjykata braktisën seancën gjyqësore në shenjë proteste, por seancën e radhës u paraqitën vullnetarisht në gjykim. Pas marrjes së provave nga organi i akuzës gjykata i dha dje të drejtën Rayyan të paraqiste provat e veta, ku ndër to ai kërkoi të pyeten si dëshmitarë në këtë proces të gjithë personave që kanë firmosur apo urdhëruar bllokimin e pasurive të Kadi që administrohen nga ai. Bëhet fjalë për punonjës të Zyrës së Parandalimit të Pastrimit të Parave në Ministrinë e Financave, të cilët do të dëshmojnë menjëherë pasi të mbarojë shqyrtimi i provave të Prokurorisë. Mbrojtësi i Rayyan paraqiti kërkesën për të thirrur si dëshmitarë edhe kreun e Financave dhe paraardhësin e tij, por gjykata u rezervua për t’u shprehur në seancat në vazhdim për këtë pretendim.Si u sekuestruan pronat e KadiNga hetimet e zhvilluara për këtë procedim rezultoi se Yasin Al-Kadi është me shtetësi arabe dhe në Shqipëri që nga muaji mars i 1993-it ka themeluar vetëm dhe në bashkëpronësi disa shoqëri tregtare si “Kavallo”, “Medicare”, “Loxhall”, “Karvan”, “Emane”, “Alintid”, me aktivitete të ndryshme tregtare. Më pas këtij iu publikua emri në listën e departamentit të shtetit si person i përfshirë në financimin e terrorizmit. Pas kësaj, Ministria e Financave urdhëroi sekuestrim të të gjitha pasurive, ku është pronar dhe bashkëpronar Yasin Kadi, si dhe ka kryer kallëzimin në Prokurori. Nga hetimi i atëhershëm i Prokurorisë, rezultoi se Kadi, pasi ka rënë dakord me disa biznesmenë të tjerë ndërtoi në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” një qendër biznesi, pjesa e të cilit gjithashtu u sekuestrua. Pushimi i akuzës Nga shqyrtimi i dokumentacionit të sekuestruar nga Prokuroria nuk arrihet në konkluzion se Jasin Kadi, ka kaluar fonde në mbështetje të aktiviteteve terroriste përmes shoqërive tregtare të tijat në Shqipëri. Në këto rrethana Prokuroria ka mbetur vetëm në kuadrin e dyshimeve, të cilat në bazë Kodit Penal janë konsideruar në favor të të akuzuarit.