E Shtunë, 31 Tetor 2026

Montoi bombën te “Don Bosko”,dëmshpërblim për burgun 17-vjeçarit

• TIRANE - Rreth 7 milionë lekë të vjetra është shuma që 17-vjeçari lushnjar, Elis Prethi do përfitojë nga burgimi i padrejtë tre vite më parë.Dje me kërkesë të tij Gjykata e Tiranës lëshoi urdhrin e ekzekutimit, vendim i cili do i dorëzohet Përmbarimit për të kryer veprimet e mëtejshme me institucionet shtetërore. Adoleshenti Prethi ishte një nga personat e arrestuar në verë të vitit 2005, pasi në muajin mars të atij viti 32-vjeçari Enver Rabia, një nga anëtarët e bandës së Aldo Bares humbi jetën pasi i shpërtheu një minë me celular. Ai shpërtheu te hyrja e një pallati në lagjen “Don Bosko” në kryeqytet, në momentin që po montonte minën. Pas hetimeve disaditore policia pretendoi se zbardhi ngjarjen duke identifikuar numrat celularë, me të cilët kishte komunikuar personi që shpërtheu. Pas kësaj, nëpërmjet një kurthi të organizuar nga policia e kryeqytetit u arrestuan në një lokal pranë “21 dhjetorit” në Tiranë tre adoleshentë nga Lushnja. Këta u joshën nëpërmjet telefonit nga një agjente e Antikrimit, dhe sapo mbërritën në kryeqytet u vunë në pranga. Pas kësaj, Gjykata e Tiranës vendosi masën e sigurisë burg pa afat për të, e cila u la në fuqi edhe në shkallët e tjera. Ndërsa muaj më vonë, pasi Prokuroria nuk arriti të gjente prova në ngarkim të tyre u detyrua të lëshonte pe, duke i hapur rrugën gjykatës të ndryshonte masën e sigurisë në “arrest shtëpie”. Nën këtë masë Prethi qëndroi edhe disa javë të tjera, derisa Prokuroria e kryeqytetit i komunikoi pushimin e akuzës. Menjëherë pas kësaj ai paraqiti kërkesën për dëmshpërblim për burgimin e padrejtë duke kërkuar nga 5 mijë lekë të reja për çdo ditë të kaluar në qeli dhe nga 3 mijë lekë të reja për çdo ditë të kaluar në arrest shtëpie. Në kërkesë-padi ai argumentoi se dëmshpërblimin e kërkoi në bazë të ligjeve në fuqi, pretendim të cilin gjykata e pranoi. Pasi shqyrtoi padinë e tij gjykata vendosi t’i jepte dëmshpërblimin e kërkuar dhe menjëherë sapo vendimi mori formë të prerë, me kërkesë të paditësit u vendos lëshimi i urdhrit të ekzekutimit, pas të cilit pritet që zyra e Përmbarimit e kryeqytetit t’i japë këtë shumë adoleshentit.       fa.ma.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›