E Shtunë, 31 Tetor 2026

FBI merr në Rinas të kërkuarin për rrëmbim

• TIRANE - Ekstradohet në SHBA shqiptari i kërkuar nga FBI për rrëmbim personi, keqtrajtim, vrasje e mbetur në tentativë dhe grabitje me dhunë.Drini Brahimllari, 35 vjeç, banues në një fshat të Korçës, është ekstraduar mesditën e djeshme nga autoritetet e policisë shqiptare në drejtim të SHBA-së. Brahimllari u arrestua nga policia lokale më 12 shtator të vitit të kaluar, një ditë pas nënshkrimit të një marrëveshjeje mes autoriteteve amerikane të drejtësisë dhe atyre shqiptare mbi personat e kërkuar. Ai kërkohej nga FBI e Miçiganit për disa vepra të rënda penale, ndërsa për të kishte edhe një vendim dënimi me burgim të përjetshëm nga Gjykata Federale amerikane. Sipas burimeve zyrtare nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, Brahimllari u është dorëzuar oficerëve të FBI-së në aeroportin e Rinasit, nga homologët e tyre shqiptarë të Zyrës së Interpol-Tiranës. Mësohet se Drini Brahimllari ishte akomoduar në një nga burgjet e Tiranës që prej fundit të muajit dhjetor 2007, kur vendimi i ekstradimit ndaj tij në drejtim të SHBA-së kishte marrë formë të prerë. Më 5 dhjetor të vitit të kaluar, gjykata e Korçës ishte shprehur pro ekstradimit të tij në drejtim të SHBA- së, ku shqiptari duhet të përgjigjet para drejtësisë për akuzat e ngritura nga Byroja Federale e Hetimeve, FBI në shtetin e Miçiganit. Vendimi i datës 5 dhjetor ka marrë formë të prerë 10 ditë më vonë, më 15 dhjetor, pasi nuk është ankimuar nga palët në proces. Ky vendim iu është përcjellë autoriteteve përkatëse të interesuara për ekstradimin e Drini Brahimllarit. Procedurat e mëtejshme kanë vijuar njoftimin e autoriteteve amerikane mbi datën e mundshme të ekstradimit, që është vendosur të ishte dita e djeshme. Për të shoqëruar të ekstraduarin nga Shqipëria në drejtim të SHBA-së kanë mbërritur edhe dy oficerë të zyrës së FBI-së, të cilët kanë marrë në dorëzim shqiptarin e kërkuar. Mesditën e djeshme personi është transportuar në mënyrë sekrete nga një mjet i Drejtorisë së Burgjeve, nga ambientet e qelisë ku ndodhej i izoluar në drejtim të aeroportit të Rinasit. Aty ai iu është dorëzuar oficerëve të Interpolit, që ua kanë dorëzuar homologëve të tyre amerikanë. Këta të fundit me një prej linjave ajrore që udhëtojnë në drejtim të SHBA-së, bashkë me tri bileta në duar, janë ngjitur në avion, ndërsa mbanin të prangosur Brahimllarin. Ai është arrestuar nga policia shqiptare më 12 shtator 2007, në aksin rrugor nga Maliqi në Korçë. Ai ndodhej nën shoqërinë e një miku të tij, ndërsa policia e ndaloi për një kontroll të rastësishëm. Sapo zbriti nga automjeti ku ndodhej iu komunikua se ishte i arrestuar për llogari të Byrosë Federale të Hetimeve të SHBA-së. Ngjarja për të cilën është arrestuar dhe ekstraduar Brahimllari, sipas policisë, ka ndodhur në vitin 2005. Atëherë gjatë një grindjeje mes shqiptarësh për motive ende të panjohura, i arrestuari mësohet se është rrahur dhe ka mbetur pa ndjenja për motive të paqarta. Në shenjë hakmarrjeje, Brahimllari, nëpërmjet miqve të tij të shumtë në Detroit dhe në të gjithë Miçiganin, ka mundur të gjejë dhunuesin e tij për të vënë nderin në vend. Pasi e kanë gjetur dhe ia kanë dërguar personin në banesën e tij, Drini Brahimllari ka rrahur dhe mbajtur peng në banesë për disa ditë emigrantin shqiptar në SHBA. Për ta lënë të lirë, Brahimllari i ka kërkuar atij një mijë dollarë amerikanë.         d.b DënimiPër krimin që akuzohet se ka kryer në SHBA, drejtësia e shtetit të Miçiganit e ka dënuar Drini Brahimllarin me burgim të përjetshëm. Ai është akuzuar se ka organizuar rrëmbimin e një bashkëkombësi të tij dhe i ka kërkuar atij një shumë prej një mijë dollarësh në këmbim të lirisë. Gjatë mbajtjes peng emigranti shqiptar mësohet se është rrahur dhe më pas qëlluar me thikë. EkstradimiAutoritetet amerikane të drejtësisë kanë kërkuar ekstradimin e Brahimllarit, në dosjen që ata kanë sjellë për të në drejtim të Shqipërisë që në muajin shtator. Madje, një ditë para arrestimit të tij në Korçë, pala shqiptare dhe ajo amerikane nënshkruan një marrëveshje dypalëshe për operacione të përbashkëta të policisë së shtetit në Shqipëri dhe FBI-së në Shtetet e Bashkuara.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›