SIGAL dorëzon çeqet për shtëpitë e djegura
• SHKODER - Kompania e sigurimeve SIGAL dëmshpërbleu dje dy shtëpi të djegura nga zjarri në Shkodër në tetor të vitit të kaluar. Në prani të vetë drejtorit të kompanisë, Avni Ponari u janë dorëzuar pronarëve, Burhan Troshani dhe Remzi Troshani, çeqet me shumat e dëmshpërblimit. Dy të dëmtuarit kishin siguruar nga zjarri pranë kësaj kompanie shtëpitë e tyre dhe orenditë. “Pas fatkeqësisë së tyre dhe ndjekjes së të gjitha procedurave ligjore, kompania më e madhe e sigurimeve në Shqipëri, SIGAL dëmshpërbleu vlerën e plotë që qytetarët kishin siguruar. Konkretisht Burhan Troshanit iu dorëzua çeku me vlerën 3.071.700 lekë, ndërsa Remzi Troshanit, 2.340.000 lekë”, bëhet e ditur nga përfaqësuesit e kompanisë. Vetëm për vitin 2007 mësohet se SIGAL ka paguar dëmshpërblime për pasuritë e dëmtuara nga faktorë të ndryshëm një shumë prej mbi 89 milionë lekësh.