E Diel, 1 Nëntor 2026

Aksion në katër qytete, bllokohen 47 makina luksoze të grabitura jashtë

 

TIRANE – Policia shqiptare ka filluar një super-operacion në qytetet kryesore të vendit për zbulimin dhe bllokimin e automjeteve të vjedhura jashtë vendit. Gjatë tri ditëve të fundit policia e Elbasanit ka bllokuar katër makina, mes të cilave një fuoristradë, një “Audi Q7” dhe një “Benz”, ndërsa ditën e djeshme është sekuestruar edhe makina me targa TR 7787 I. Policia e qytetit të Fier, në emër të të njëjtit operacion “Shtator 2008”, ka bllokuar ditët e fundit katër automjete duke shoqëruar në polici edhe përdoruesit e tyre. Sipas të dhënave policore, mësohet se automjetet janë të vjedhura jashtë vendit dhe janë trafikuar në Shqipëri, ku u janë falsifikuar dokumentet. Pronarët e të gjitha automjeteve të bllokuara janë dërguar për ndjekje penale në Prokurori me akuzat për falsifikim dhe trafik mjetesh motorike. Operacioni i policisë është shtrirë edhe në qytetin e Durrësit. Sipas burimeve zyrtare, bilanci përfundimtar i operacionit policor të zhvilluar në këtë qytet ka qenë bllokimi i 18 veturave të markave si “BMW”, “Mercedez”, “Audi”, “Golf”, “Mitsubishi”, vlera totale e të cilave sipas çmimeve të tregut kap shifrën e 500.000 eurove. Në shtrirjen kohore prej një jave, edhe policia e Tiranës ka bllokuar rreth 16 automjete të ndryshme të markave të shtrenjta. Sipas burimeve të policisë, mjetet e bllokuara rezultojnë të jenë të vjedhura dhe të trafikuara nga jashtë vendit. Vetëm gjatë ditës së djeshme, zyra e antitrafikut të Drejtorisë së Policisë së Tiranës e mbështetur nga policia rrugore dhe autopatrullat, kanë bllokuar katër automjete që i bashkohen operacionit “Shtator 2008”. Sipas burimeve të Policisë dje janë bllokuar një automjet tip “Volskswagen” Golf, V, një “Volskswagen” Passat, “Porsche” dhe një BMW X5, janë bllokuar nga antitrafiku gjatë ditës së djeshme. Lajmi është bërë i ditur për “Panoramën”, nga burime të policisë së kryeqytetit, të cilët pohuan se mjetet e bllokuara i përkasin markave të shtrenjta, kryesisht “Mercedez-Benz”, “BMW X5”, AUDI, “Volskswagen” etj. Që prej fillimit të javës, policia e shtetit ka bllokuar më tepër se 47 automjete të llojeve të ndryshme. Mes tyre sipas policisë, janë bllokuar 18 automjete te markës “Mercedez-Benz”, 11 të markës “BMW X5”, 5 të markës “AUDI”, si dhe mjete të llojeve të tjera.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›