E Diel, 1 Nëntor 2026

Tadiç paralajmëron strategjinë e copëtimit të Kosovës

 

Presidenti serb, Boris Tadiç, ka paralajmëruar në një takim me mediat strategjinë serbe për copëzimin e territorit të Kosovës. Duke u përgjigjur në pyetjen se çfarë do të mund të ndodhte ndërkohë që do të pritej opinioni i Gjykatës Ndërkombëtare për legalitetin e shpalljes së pavarësisë, ai tha se Serbia do të punojë që të “rregullohen kushtet e jetës për të gjithë ata që duan të mbesin në Serbi”. I pyetur nëse kjo do të thotë ndarje e Kosovës, ai u përgjigj në mënyrë figurative. “Mendoj se nuk do të duhej t’i kalonim urat para se të kemi mbërritur atje”, tha ai, duke shtuar se në negociatat e reja do të shqyrtoheshin të gjitha opsionet e mundshme. “Të gjitha opsionet janë legjitime dhe të gjitha janë më të mira sesa kjo, ku njëra palë humb të gjitha, ndërsa tjetra fiton të gjitha”, tha ai. Veç kësaj, presidenti serb tha se Serbia refuzon çdo lloj ndryshimi në draftin e saj që kërkon opinionin e Gjykatës Ndërkombëtare mbi ligjshmërinë e pavarësisë së Kosovës. Tadiç nuk specifikoi se cili i kishte kërkuar ndryshime dhe as nuk sqaroi se çfarë modifikimesh i ishin kërkuar palës serbe të bënte në draft. Pas takimit me Sekretarin e Përgjithshëm të OKB-së, Ban Ki Mun, Tadiç tha se shefi i OKB-së “ka treguar një mirëkuptim të shkëlqyer mbi qëndrimin e Beogradit për Gjykatën Ndërkombëtare” për të vlerësuar deklaratën e 17 shkurtit të shpalljes së pavarësisë së Kosovës, nëse ishte në përputhje me ligjet ndërkombëtare. Tadiç shtoi se Serbia nuk do ta njohë kurrë pavarësinë e Kosovës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›