E Shtunë, 31 Tetor 2026

Arrestohet polici për trafik droge

 

GJIROKASTER/ PIRO NASE

Një punonjës i policisë në Komisariatin nr.6 në Tiranë u prangos dje nga kolegët e tij të Gjirokastrës. Pas dy vitesh në hetim, Gëzim Dragoti rezultoi të ishte i implikuar në një rrjet të trafikut të lëndëve narkotike.
Arrestimi i 37-vjeçarit nga Lushnja u bë në kuadër të operacionit të nisur në shtatorin e vitit 2006, të koduar “Ballkan Antitrafik”. Pikërisht me 22 shtator të këtij viti, policia e Gjirokastrës sekuestroi sasinë prej 75 kilogramë kanabis sativa, ndërsa në pranga ra efektivi i policisë, Bujar Lickollari. Pas hetimeve të kryera, policia e Gjirokastrës zbuloi se i implikuar në këtë trafik të lëndëve narkotike ishte edhe i arrestuari i djeshëm, Gëzim Dragoti. Burime të policisë bënë të ditur se Gëzim Dragoti u arrestua gjatë një aksioni të organizuar nga strukturat e antitrafikut të Gjirokastrës, në bashkëpunim edhe me kolegët e tyre të Tiranës. Të njëjtat burime sqaruan se arrestimi i Dragotit u bë pasi u vërtetua plotësisht pjesëmarrja e tij në transportin e një sasie të konsiderueshme narkotike që u gjet në bordin e automjetit në pronësi të policit Bujar Licollari. Dy vite më parë në kuadër të operacionit “Ballkan Antitrafik”, uniformat blu të Gjirokastrës dhe ato të Tepelenës, gjatë një kontrolli të ushtruar në automjetin tip “Mercedes-Benz” me targë TR 8502 E, drejtuar nga Licollari, zbuluan 75 kg kanabis sativa. E gjithë kjo sasi ishte fshehur në pjesën e bagazhit. Nën petkun e uniformës policore, Licollari, në atë periudhë efektiv i Komisariatit të Ruajtjes së Objekteve të Rëndësisë së Veçantë në Policinë e Tiranës, qarkullonte në drejtim të kryeqytetit, duke patur me vete edhe sasinë e lëndës narkotike. Por një informacion i siguruar në rrugë operative nga Policia e Gjirokastrës, “dekonspiron” planin e Licollarit për të kapërcyer dy postblloqe policore në Gjirokastër dhe Tepelenë. Ndërsa arriti të kalonte postbllokun e parë në Gjirokastër, efektivi i policisë Licollari i cili tashmë vuan dënimin në burg, u ndalua nga kolegët e tij për një kontroll fizik të automjetit. Ai u ndalua rreth 4 kilometra në të hyrë të qytetit të Tepelenës, në afërsi të fshatit Luzat. Pas evidentimit të drogës, Licollari u arrestua. Është dashur dy vjet vërtetimi plotësisht i fakteve që të implikonin edhe personin e dytë të arrestuar dje në këtë rrjet trafiku. Gëzim Dragoti mësohet se është prangosur me urdhër të prokurorisë së Gjirokastrës. Mbi policin rëndon vepra penale e trafikimit të lëndëve narkotike. Gjatë tre viteve të fundit, në grackën e policisë kanë rënë katër punonjës të saj, efektiva të Komisariatit të Tepelenës dhe Gjirokastrës. Arrestimi më i bujshëm ishte ai i ish-shefit të Komisariatit të Tepelenës dy vjet më parë, Afrim Zeqiraj.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›