E Diel, 1 Nëntor 2026

Prokuroria: Gërdeci me dëm ekonomik

 

Trazhgim Sokolaj

Përzgjedhja e Gërdecit si rajon për kryerjen e çmontimit të municioneve luftarake, përveç tragjedisë me 26 të vdekur e 300 të plagosur, i ka sjellë shtetit shqiptar një dëm të konsiderueshëm financiar. Shifrat përfundimtare të këtij dëmi të konsiderueshëm po hetohen, por nuk janë llogaritur ende nga Prokuroria. Kjo e fundit tha dje se tashmë e ka të qartë se në Gërdec, fitimi nga organet shtetërore që shisnin municionin, ka qenë të paktën dy herë më i vogël se të ardhurat që do të siguroheshin nëse çmontimi i municioneve do të bëhej në uzinat shtetërore të Poliçanit, Mjekësit apo Gramshit. “Nëse i referohemi teknologjisë dhe standardeve që zbatohen në këto uzina gjatë çmontimit të municioneve, fitimi do të ishte dyfish më i lartë, por edhe tragjedia e Gërdecit do të shmangej. Ky është një fakt i verifikuar nga grupi hetimor”, thanë burimet e akuzës. Oficerët e Prokurorisë së Përgjithshme kanë kryer së fundi një sërë këqyrjesh dhe inspektimesh në uzinat e Poliçanit, Gramshit dhe të Mjekësit. Në këto uzina hetuesit e Prokurorisë kanë verifikuar kushtet në të cilat bëhet çmontimi, sasinë ditore të municioneve të demontuara, masat e sigurisë dhe dokumentacionin financiar që bën fjalë për koston.
Hetimet
Tri uzinat shtetërore dhe në veçanti Poliçani, kanë rezultuar se kryenin demontimin e municioneve me një kosto dy herë më të ulët sesa ajo e Gërdecit. Veç kësaj, sipas Prokurorisë, Poliçani ishte certifikuar nga NATO për kushtet e sigurisë në të cilat kryhej demontimi, përfshirë këtu masat e mbrojtjes fizike, ato nga zjarri, parametrat teknikë të lartë dhe teknologjinë e avancuar. Të njëjtat standarde, sipas Prokurorisë, i plotësonte edhe uzina e Mjekësit në Elbasan si dhe uzina e Gramshit. Për të gjitha këto standarde, sipas verifikimeve të hetuesve, ishin në dijeni strukturat e Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura si dhe Ministria e Mbrojtjes, duke përfshirë edhe ndërmarrjen MEICO. Sipas verifikimeve të Prokurorisë, në tri uzinat ushtarake çdo ditë bëhej nxjerrja e barutit të dalë nga demontimi dhe asgjësimi i tij jo më pak se 700 metra larg vendit ku mbahen municionet e pa demontuara. Sipas Prokurorisë, Ministria e Mbrojtjes dhe Shtabi i Përgjithshëm, ashtu si dhe MEICO, kanë pasur dijeni për ekzistencën e kushteve të sigurisë dhe fitimin më të lartë që shteti mund të siguronte nga çmontimi i municioneve në uzinat shtetërore, por çuditërisht kanë përzgjedhur Gërdecin. Nga verifikimet e Prokurorisë rezulton se në Poliçan, për shembull, kryhej çmontimi i 150-200 predhave në ditë, ndërsa në Gërdec, sipas hetimeve, çmontoheshin brenda ditës mesatarisht 700 të tilla. Nisur nga këto të dhëna, Prokuroria dyshon se Ministria e Mbrojtjes dhe Shtabi i Përgjithshëm mund të kenë zgjedhur Gërdecin dhe çmontimin nga subjektet private, konkretisht nga bashkimi i kompanisë amerikane SAC me firmën “Albademil” të Mihal Delijorgjit, pikërisht për të favorizuar këta të fundit.
Abuzimet
Në dukje inspektimi i Prokurorisë në uzinat e Poliçanit, Gramshit dhe Mjekësit ka qenë një veprim hetimor rutinë mbase i konsideruar si një procedurë periferike në hetimin e ngjarjes së Gërdecit. Megjithatë pas kryerjes së inspektimeve në tri uzinat, Prokuroria pohon se tashmë e ka të qartë se caktimi i Gërdecit si vend për çmontimin e municioneve si dhe përzgjedhja e firmave private që u angazhuan në këtë proces, ka qenë një vendimmarrje abuzive që solli jo vetëm tragjedinë për siç llogaritet, por edhe humbje financiare në shuma të mëdha për buxhetin e shtetit. Prova të tilla të administruara tashmë në dosjen penale të Prokurorisë, sipas akuzës, rëndojnë ndjeshëm pozitën e ish-drejtorit të ndërmarrjes MEICO, Ylli Pinari dhe zyrtarëve të tjerë të Ministrisë së Mbrojtjes që po hetohen në këtë proces.

Pyetet Andi Belliu, kreu i punëtorëve të Gërdecit

TIRANE – Prokuroria e Përgjithshme ka marrë në pyetje dje Andi Belliun, ish-punëtorin e fabrikës së Gërdecit dhe njëkohësisht kryetar i Shoqatës së Punëtorëve që ishin angazhuar më parë me çmontimin e municioneve luftarake. Andi Belliu është paraqitur me një dosje në Prokurorinë e Përgjithshme rreth orës 10:00 të ditës së djeshme dhe për rreth 1 orë e 30 minuta ka dhënë deklarimet e tij para prokurorëve të dosjes “Gërdeci” dhe oficerëve të Policisë Gjyqësore që janë angazhuar me hetimin e ngjarjes. Kreu i Shoqatës së Punëtorëve të Gërdecit është paraqitur në orarin e paracaktuar në Prokurorinë e Përgjithshme, por një hetues i ka thënë atij se duhej të priste disa kohë, pasi grupi i hetimit ishte duke pyetur një tjetër person në ato momente. Në këtë mënyrë, Andi Belliu ka pritur për rreth një orë dhe më pas ka hyrë në Prokurorinë e Përgjithshme. Ai është marrë në pyetje aty për kushtet e sigurisë në fabrikën e çmontimit të ngritur nga Mihal Delijorgji, për mundësinë që në Gërdec të jenë paketuar fishekë, të cilët më pas dërgoheshin në Rinas për t’u nisur drejt Afganistanit si dhe për një sërë momentesh të tjera të ngjarjes me interes për hetimin.      

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›