E Diel, 1 Nëntor 2026

Nuk pranoi faturën e energjisë, godet dy punonjëset e KESH-it

 

FIER – Godet punonjëset e KESH-it se nuk pranonte faturën e energjisë, arrestohet 36-vjeçari. Ka qenë ora 16:00 e së enjtes, në mbyllje të orarit zyrtar të punës, kur dy punonjëset janë kanosur dhe më pas goditur nga Arben Dafa, banor i fshatit Sheqishtë të Fierit. E gjithë ngjarja ka marrë startin kur 36- vjeçari është paraqitur pranë zyrave të Albapostës për të pagur faturat e energjisë elektrike, por kur i ka parë nuk ka qenë dakord me to. Dy punonjëset, përkatësisht N.K. me banim në qytetin e Patosit dhe me detyrë arkëtare në Albaposta dhe V.G. banore e fshatit Zharrëz me detyrë faturiste e energjisë elektrike, kanë tentuar t’i mbushin mendjen Dafës se fatura shkruante realisht atë që ai kishte konsumuar. I bindur se shuma e vendosur në faturë ishte fiktive, 36-vjeçari fillimisht ka ngritur zërin ndaj dy punonjësve, ndërkohë që është acaruar më shumë kur zyrtaret vazhdimisht hidhnin poshtë mendimin e tij për faturimin e padrejtë të energjisë. E ndërsa punonjëset këmbëngulnin se fatura ishte reale, Dafa i acaruar së tepërmi i ka goditur ato duke përhapur frikë dhe panik te punonjëset. Menjëherë pas veprimit aspak të hijshëm dhe kërcënues të Dafës, dy punonjëset kanë bërë edhe denoncimin e rastit në komisariatin e Fierit. Të mbërritur menjëherë në vendin e ngjarjes, uniformat blu kanë bërë ndalimin e 36-vjeçarit Arben Dafa nën akuzën e goditjes për shkak të detyrës. Autori mësohet nga policia se kishte dy muaj pa paguar energjinë elektrike dhe shuma ishte rreth 17 mijë lekë.               m.r

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›