E Diel, 1 Nëntor 2026

Durrës, LSI “Jo” TEC-it

 

DURRES- Dega e LSI-së në Durrës i thotë “Jo” ndërtimit të termocentralit me qymyr në Porto-Romano. Kreu i komisionit mjedisor të LSI-së lokale, Ilir Qesja, u shpreh se “ndërtimi i këtij TEC-i do të jetë katastrofik për ambientin në një rreze më të gjerë se 50 km. Dioksidi i karbonit që do të çlirojë ky termocentral mbetet ende i pakapshëm për shkencën e sotme botërore dhe si i tillë është i pamundur të thithet me filtra të veçantë”. Qesja vuri në dukje edhe faktin se në vitin 2015, në bazë të “Protokollit të Kiotos” hyjnë në fuqi penalizime të rënda për ato shtete që çlirojnë në atmosferë gazin CO2. LSI argumentoi se, “pikërisht për këtë arsye italianët duan ta ndërtojnë këtë TEC në Shqipëri dhe jo në brigjet e tyre”. Sipas Qeses, në këtë mënyrë investitori italian i shmanget taksës ambientale. Dega e LSI-së i bën thirrje Këshillit të Qarkut, Bashkisë së Durrësit, forcave politike dhe qytetarisë që të rrisin bashkëpunimin për të ardhmen e fëmijëve tanë. Sipas degës së LSI-së në Durrës, kompleksi energjetik me qymyr, me kapacitet 1600 mega është shkatërrimtar për turizmin, bujqësinë, peshkimin dhe shëndetin e popullsisë.                        o.u

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›