E Shtunë, 31 Tetor 2026

Burrel, ish-minatorët rinisin protestat, dalin para bashkisë

 

BURREL - Sindikata e Minatorëve në Mat organizoi dje përpara Bashkisë së Burrelit një protestë për “statusin e minatorit”. Drejtuesi i kësaj proteste, Rasim Vata, u shpreh se ish-minatorët e Batrrës, Theknës, Krastës, Klosit dhe minierave të tjera të Matit u mblodhën për të kërkuar të drejtat e tyre. “Nuk jemi këtu për të kërkuar rrëzimin e qeverisë, por për t’i kërkuar Kuvendit dhe Qeverisë të miratojë sa më parë statusin e minatorit. Nuk është aspak normale që minatorët ta gëzojnë pensionin pas moshës 60 vjeç”, u shpreh ai. Ish-minatorët kërkuan të ndalen vuajtjet e kësaj shtrese dhe të miratohet dalja në pension në moshën 50 vjeç. Ata shprehën rezervat e tyre me heqjen e të drejtës së pensionit për një numër të konsiderueshëm të tyre. “Kemi njoftuar strukturat më të larta të shtetit për problemet serioze që na sjell administrate shtetërore. Ne nuk kërkojmë luks, por më shumë të drejta para se sa të vdesim. Në asnjë vend të botës nuk ndodh si këtu”- u shprehën të revoltuar protestuesit. Në javën e parë të tetorit ish-minatorët do të zhvillojnë një protestë kombëtare në Tiranë. Ish-minatorët e Matit do të kenë përfaqësuesit e tyre në këtë lëvizje sindikaliste.                            e.d

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›