E Shtunë, 31 Tetor 2026

Aksion ne veri EULEX dhe KFOR-i sekuestrojne arme

Policia e EULEX-it e mbështetur nga forcat e KFOR-it ka ndërmarrë mëngjesin e sotëm një aksion kontrolli në veri të Kosovës në kuadër të hetimeve që po zhvillohen për vrasjen e policit Enver Zymberi dhe gjetjen e shkaktarëve të dhunës në veri.  Policia e EULEX-it gjatë këtij aksioni, i cili ka përfunduar pas disa orësh, ka bastisur disa shtëpi në fshatin Zupç të Zubin Potokut, ku ka konfiskuar materiale të rëndësishme përfshirë edhe armë. Zëdhënësi i EULEX-it, Nicholas Hawton bëri të ditur se aksioni i sotëm kishte për qëllim forcimin e rendit dhe ligjit në veri dhe vazhdimin e hetimeve kriminale që po kryhen për policinë e vrarë në detyrë më 26 korrik në veri.

“Këtë mëngjes EULEX-i ka ndërmarrë një aksion në veri të Kosovë, që është mbështetur edhe nga KFOR-i. Qëllimi kryesor ka qenë hulumtimi  për vrasjen e policit të Kosovës me 25 qershor. Hetimet janë zhvilluar bashkërisht nga EULEX-i dhe Policia e Kosovës dhe janë zhvilluar në dy zona të ndryshme në veri. Mund t’ju informoj gjithashtu se materialet e konfiskuara janë duke u analizuar  nga hetuesit. Mund t’ju konfirmoj gjithashtu ekzistencën e gjashtë flet arresteve individuale në lidhje me hetimet që po zhvillohen për vrasje. Në të ardhmen mund të ketë më shumë operacione në veri, jo vetëm për vrasjen që ka ndodhur por edhe për rastet tjera të dhunës që kemi pasur në javët e fundit atje” –tha Hawton.

Ndonëse EULEX nuk ka dhënë detaje për bastisjet e kryera, detajet janë publikuar nga mediat serbe. Sipas tyre, forcat speciale të policisë së EULEX-it kanë bastisur shtëpinë e Bllagoje Vuçiniqit, në fshatin Zupç të Zubin Potokut. Bastisja ka ndodhur në orën 5 e 40 minuta të mëngjesit dhe sipas të zotit të shtëpisë policia e EULEX-it ka kërkuar djalin e tij, Sllobodanin, i cili siç ka thënë ai, aktualisht ndodhet në Serbi. 

EULEX ka bastisur edhe tri shtëpi të tjera në veri në lidhje me hetimet për vrasjen policit Enver Zymberi.  Gjatë kohës së zhvillimit të aksioni KFOR-i ka bllokuar rrugët kryesore dhe nuk ka lejuar qarkullimin as të automjeteve të vogla duke ngjallur kështu një revoltë te serbët lokal të cilët kanë protestuar ndaj këtij aksioni. Në këtë aksion, sipas medieve serbe, ka prani të madhe të forcave ushtarake të KFOR-it, gjë që nuk kishte ndodhur ndonjëherë më parë në aksionet e ndërmarra në këtë pjesë.

Bul Salihu

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›