Aksion për mbledhje e akcizës në lojërat e fatit

Dogana e Kosovës gjatë kësaj jave dhe javës së kaluar ka filluar aksionin për mbledhjen e detyruar të akcizës në lojëra të fatit, me ç’rast janë konfiskuar disa automate. Deri te ky aksion ka ardhur pasi disa kompani nuk kanë bërë asnjë pagesë edhe pse janë të obliguara sipas ligjit.
Aksioni i filluar nga Dogana e Kosovës ka qenë i mbështetur nga Policia e Kosovës dhe inspektoret e ATK.
Bëhet e ditur se Dogana e Kosovës ka kontrolluar 11 subjekte afariste dhe këto në rajonet e Prishtinës, Fushë Kosovës, Ferizaj, Gjilanit, Mitrovicës, Gjakovës, Vushtrrisë dhe Prizrenit.
Zëdhënësi i doganës, Adriatik Stavileci bëri të ditur se për shkak të moskryerjes së obligimeve ligjore edhe janë konfiskuar disa automate.
“Në Prishtinë, janë konfiskuar 58 automate të lojërave të fatit, Ferizaj 15, kurse në Mitrovicë është mbyllur një 1 subjekt me lojëra të fatit”, tha Stavileci.
Sipas tij, gjatë ushtrimit të kontrolleve tek subjektet afariste menjëherë është vërejtur rritje e deklarimit vullnetar, që si rezultat janë mbledhur 352.766.66 euro.
Përveç konfiskimit të 73 aparateve të lojërave të fatit, që nga hyrja ne fuqi e vendimit të Qeverisë 03/13, janë inkasuar nga taksa e akcizës në lojërat e fatit mbi 1.2 milionë euro.
Vendimi i Qeverisë 03/13 date 29.04.2011 për vendosje e taksës se akcizës në lojëra fati, ka filluar të zbatohet nga Qershori 2011, për zbatimin e këtij vendimi obligohet Dogana e Kosovës të bëj mbledhjen dhe mbikëqyrjen.