Kosova dhe Bullgaria forcojnë partneritetin
Bullgaria është e gatshme të ndihmojë Kosovën si në furnizimin me produkte ushqimore, po ashtu edhe me teknologji për biznesin vendor, kanë thënë zyrtarë të lartë qeveritar nga Bullgaria që po qëndrojnë në vendin tonë. Këtë gatishmëri të bullgarëve, drejtues të institucioneve të Kosovës e vlerësuan si një shansë të mirë që pas aplikimit të reciprocitetit me Serbinë, bizneset vendore të lidhin marrëdhënie me shtete tjera.
Këto konkluzione dhe gatishmëria për rritje të bashkëpunimit kanë gjatë mbajtjes së Forumin Biznesor Kosovë- Bullgari me temë “Mundësitë e bashkëpunimit ekonomik në mes të Kosovës dhe Bullgarisë pas masave të reciprocitetit me Serbinë”, të organizuar nga Ministria e Tregtisë dhe Industrisë në bashkëpunim me Odën Ekonomike të Kosovës.
Me këtë rast zëvendëskryeministrja dhe njëherësh ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Mimoza Kusari-Lila ka deklaruar se pas masave të reciprocitetit as që bëhet fjalë për mungesë të produkteve, por shteti i Kosovës është duke ndjekur rrugën e lidhjes së bashkëpunimit me shtetet e ndryshme.
“As optimistët më të mëdhenj nuk kanë mundur të paramendojnë që një situatë e cila ishte shumë sfiduese për Kosovën, por mund të hap kaq shumë dyer dhe shanse të reja për ekonominë e Kosovës. Si rrjedhojë e masave të reciprocitetit jo që kemi mungesë në tregun e Kosovës, por ne po forcojmë partneritetin dhe po ngrisim ura të reja bashkëpunimi me shtetet të cilat drejtpërdrejt janë të interesuara të forcojnë dhe ndihmojnë ekonominë e Kosovës”, ka theksuar Kusari-Lila.
Nga ana tjetër ministri i Bujqësisë dhe Ushqimit të Bullgarisë, Miroslav Naydenov ka thënë se Kosova është në një situatë të ndërlikuar, por ka shfaqur shpresën që do të ketë rrugëdalje. Sipas tij, kjo jep alarm që kompanitë duhet të gjejnë rrugë për furnizim me ushqime, dhe në të njëjtën kohë të punojnë që të prodhojnë edhe vet këto ushqime.
Naydenov ka shtuar se Bullgaria do të ndihmojë Kosovën si në aspektin teknologjik, po ashtu edhe në transferimin e prodhimit të ushqimit në Kosovë.
“Ne do të ndihmojmë njëri-tjetrin tani duke i hequr pengesat dhe siç tha ministrja ne do të ndihmojmë me teknologji, ne do të transferojmë një pjesë të prodhimit të ushqimit këtu në Kosovë, sepse ne kemi interes kryesor strategjik që Ballkani të bëhet zona e sigurisë së përhershme. Prandaj po ia zgjatim dorën njëri-tjetrit dhe shpresojmë që dora do të pranohet që të ndiqni shijen e ushqimeve bullgare, pastaj kur të transferojmë prodhimin t’i bëni më të mira se sa janë tonat”, ka deklaruar Naydenov.
Ndërkaq ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Blerand Stavileci ka thënë se pas rrethanave të reja të krijuara në Kosovë, është një rast i mirë që të përfitoj sektori i bujqësisë.
“Qëllim i përbashkët i deklaruar nga të dyja vendet është që të kemi rritje të këmbimit tregtar sidomos në sferën e produkteve bujqësore, blegtorale dhe të industrisë agroushqimore. Si rezultat i rrethanave të krijuara janë krijuar mundësi të reja për agrobiznesin tonë në kuadër të qëllimit tonë të përbashkët për të rritur këmbimin tonë tregtar”, ka thënë Stavileci.
Ndërkaq kreu i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu e ka vlerësuar si shumë të rëndësishme ardhjen e bizneseve nga Bullgaria, duke e cilësuar këtë si një dëshmi për rritjet e bashkëpunimit mes Kosovës dhe Bullgarisë.
“E tëra kjo dëshmon gatishmërinë e Bullgarisë për të forcuar partneritetin me institucionet e Kosovës dhe vërtet ky partneritet të reflektoj në bashkëpunim ekonomik. U tha edhe më herët nga zëvendëskryeministrja se e tëra kjo ka ndodhur në një periudhë kohore shumë të shkurtër dhe gatishmëria e palës bullgare për të përkrahur Kosovën në momente të ndryshme, sidomos tash pas reciprocitetit është diçka që duhet të respektohet dhe përkrahet”, ka thënë ai.
Delegacionin e zyrtarëve nga Bullgaria e ka kryesuar ministri i Bujqësisë dhe Ushqimit, Miroslav Naydenov, por pjesë e delegacionit të tij kanë qenë edhe një numër i madh i bizneseve, kryesisht të fushës agrare. /kp/