Bollano, ekspertët kërkojnë tri javë kohë
VLORË - Seancat gjyqësore në ngarkim të kreut të bashkisë Bollano kanë vijuar në gjyqësorin e Vlorës. Në seancën e radhës trupi gjykues përcaktoi çfarë do të bëhet konkretisht nga ekspertët, ndërsa këta të fundit, sipas procedurave, kanë bërë betimin. Pas hedhjes poshtë të aktit ekzistues të ekspertimit, në vijim të procesit janë vendosur ekspertët, për anën ndërtimore Luiza Bala, dhe ekspert kontabël Ramazan Ademi. Pala mbrojtëse dhe ajo e akuzës paraqitën respektivisht kërkesat që duhet të përmbahen në aktin e ekspertimit. Nga ana e avokatit mbrojtës, ndër kërkesat ishin edhe ato të përcaktimit se ku ishin vendosur tabelat, kërkesë, që nuk u mor parasysh nga trupi gjykues. Në vendimin e saj, gjykata përcaktoi detyrë të punës së mëtejshme të ekspertëve “të përcaktohen zërat Llogora-Qeparo.Të përcaktohen volumet e punës së bërë nga shoqëria Ejxh & Co, sipas kontratave të përcaktuara”. Vetë ekspertët kërkuan tri javë kohë për të përpiluar gjithë dokumentacionet, ndërkohë që shpenzimet për ta, do t’i faturohen të akuzuarit. Për seancën e radhës, Gjykata e Vlorës përcaktoi datën 19 nëntor. Kreu i Bashkisë së Himarës, Vasil Bollano, akuzohet për “shpërdorim detyre” lidhur me heqjen e tabelave orientuese dhe turistike në aksin Qeparo-Llogora, duke shkaktuar një dëm prej 2,1 milionë lekësh.