E Diel, 1 Nëntor 2026

Aksion polica,prangos 5 të kërkuar

26/03/2005  SHKODËR - Vazhdojnë me ritme të larta aksionet e bluve të Komisariatit të Policisë të Qarkut Shkodër. Masat e vazhdueshme që ka marrë Drejtoria e kësaj policie, për goditjen dhe parandalimin e kriminalitetit, si dhe kapjen e personave të shpallur në kërkim, kanë bërë që edhe në 24 orët e fundit të përfundojnë në prangat e policisë 5 shtetas, të cilët ishin akuzuar për vepra të ndryshme penale, tre prej të cilëve kishin qenë persona të shpallur në kërkim. Pas verifikimeve të bëra për 5 persona të tjerë, u mundësua fillimi i procedimit penal ndaj tyre dhe po ndiqen në gjendje të lirë. Si rezultat e operacioneve të zhvilluara në zona të ndryshme të Shkodrës, për kapjen e personave në kërkim, nga blutë e këtij komisariati, u arrit që të arrestohej shtetasi 26-vjeçar Zamir Florini, i lindur në fshatin Kryezi, të rrethit të Pukës, me banim në fshatin Torovicë të rrethit të Lezhës. Shtetasi në fjalë është arrestuar për arsye se ishte shpallur në kërkim për veprën penale të trafikimit të qenieve njerëzore për qëllime prostitucioni, vepër kjo e kryer në bashkëpunim me shtetas të tjerë. Pas informacioneve të sigurta për vendndodhjen e këtij shtetasi, forcat e policisë së komisariatit Pukë, janë nisur me shpejtësi në drejtim të fshatit Torovicë, ku banonte i kërkuari dhe kanë bërë të mundur arrestimin e tij. Florini akuzohej për ngjarjen e ndodhur në shtator të vitit 2004, kohë kur nëpërmjet mashtrimit për martesë, arriti të marrë një 16-vjeçare nga qyteti i Pukës dhe më pas e trafikoi atë. Për këtë vepër penale, Gjykata e rrethit Pukë e gjykoi atë në mungesë dhe më 11 dhjetor 2004 nxori masën e sigurisë “arrest me burg”. Për realizimin e pësaj vepre penale shtetasi Florini, pati si bashkëpunëtorë tre shtetas të tjerë: 26-vjeçarin Lavdërim Latifi, 35-vjeçaren Fahrie Muça dhe 22- vjeçaren Lumturie Sadiku, të cilët ishin arrestuar nga policia më 3 dhjetor të vitit të kaluar.

Operacioni ka vazhduar me ndalimin e një 16-vjeçari nga fshati Bushat i rrethit të Shkodrës, pasi Prokuroria e këtij rrethi kishte lëshur një urdhërarresti për kryerjen e veprës penale të vjedhjes së pasurisë. Ky minoren akuzohet për vjedhjen dy herë në kohë të ndryshme, një servis automjetesh në lagjen “Bahçallek”, e ndodhur në hyrje të qytetit, poshtë kalasë, duke i shkaktuar pronarit të këtij servisi dëm në shuma të konsiderueshme.

Paralelisht me kapjen e dy personave të lartpërmendur, policia e antikrimit financiar kap në flagrancë, pranë fabrikës së cigareve një person të akuzuar për falsifikim. Shtetasi 35-vjeçar Prekë Miri, nga fshati Shtoj i Vjetër, i rrethit të Shkodrës, është arrestuar momentin kur po udhëtonte me mjetin e tij me targa të gjermane. Nga kontrolli në mjet u gjet një targë makine të Tiranës, targë kjo që i përkiste një shtetasi në kryeqytet.

Po nga ky sektor bëhet e ditur se për 4 shtetas nga rrethet Tiranë, Dibër, Krujë, ka filluar procedimi penal, pasi akuzohen për veprën penale të “kalimit të paligjshëm të kufirit”. Është arrestuar në flagrancë për armëmbajtje pa leje shtetasi Gentian Ferracaku, banues në lagjen “10 Korriku” të qytetit të Shkodrës. Një tjetër rast është ai i arestimit të 55 -vjeçarit Sh.M., pas denoncimit të bashkëshortes për kërcënim me armë gjahu. I shpallur në kërkim, 22-vjeçari Artur Cocja gjithashtu ra në prangat e policisë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›