E Diel, 1 Nëntor 2026

“Katërnjakët e mi, megjithë premtimet, janë lënë në harresë”

26/03/2005  Flet Lindita Çala, nëna e fëmijëve

BERAT - Paraditen e djeshme, Lindita e Renato Çala kanë nxjerr nga materniteti katërnjakët, për t’i dërguar në banesën e tyre në fshatin Rërëz. Rrugës për në banesë, çifti është mbushur me dëshpërim. Frika se nuk mund t’u shërbejnë të vegjëlve, në ato kushte të vështira ekonomike, i ka shoqëruar hap pas hapi.

“Deri tani, na kanë ndimuar një biznesmen dhe një pensioniste, ndërsa shteti ende nuk na ka ndihmuar. Nuk erdhi asnjë pushtetar, qoftë edhe një pushtetar vendor, nuk e di pse ndodh kështu, por edhe fëmijët e mi janë njëlloj si 5 fëmijët e Peqinit”, thonë prindërit e katërnjakëve, njëkohësisht duke bërë apel për ndihmë.

Kur lindën 4 fëmijët?

E kam thënë edhe herën tjetër, në fillim nuk e dija se kisha 4 fëmijë, se nuk kisha bërë asnjë eko, pasi nuk kisha mundur të vija në qytet për arsye ekonomike. Femijët lindën në darkën e 22 janarit. Mamija e fshatit më nisi në Berat, dhe më tha se unë nuk mundet të lindja dot në shtëpi se nga madhësia e barkut mundet të kisha dy fëmijë.

Si veprove?

Ashtu bëra, burri më solli me një makinë të rastit dhe u nisa në maternitetin e Beratit, rreth orës 11.30 minuta. Më vizitoi mjeku Dhimo Bojaxhiu, i cili u kërkoi edhe kolegëve të tregonin kujdes pasi nuk do të kisha një lindje të zakonshme.

Kur lindën katërnjakët?

Rreth orës 12.00 u futa në sallën e lindjes, dhe sipas mamisë dhe mjekëve, linda njëri pas tjetrit 4 fëmijë, tre djem dhe një vajzë. Në fillim u gëzova shumë, pasi më erdhën në dritë edhe 4 fëmijë. Familja u shtua dhe nga 4 anëtarë u bëmë 8, por tani po e shoh veten shumë në vështirësi të madhe dhe tepër të dëshpëruar. E shoh se 4 fëmijët e mi nuk kam mundësi me se t’i ushqej.

The se jeni tetë pjesëtarë në familje, me se ushqeheni?

Në një shtëpi të vjetër jetojmë së bashku me vjehrrën pa pension. Tani kam edhe 4 fëmijë të tjerë. Deri para se të lindja fëmijët ushqeheshim duke shitur qumështin e lopës, por tani nuk shes dot, pasi qumështin e duan 5 fëmijët dhe ne tre të rriturit.

Si do veproni?

Nuk e di. Jemi në hall, por kush na i beson, askush nga qeveria nuk po interesohet për ne. Te shtëpia e 5 fëmijve të Peqinit shkuan shumë pushtetarë, ndërsa tek unë nuk ka ardhur as dhe një pushtetar, qoftë edhe një i pushtetit vendor, për të më pyetur për hallin që më ka zënë.

Po me shëndet si janë fëmijët?

Në përgjithësi mirë, por 6 ditë para se t’i nxirrja nga materniteti, dy prej djemve u dhash gjak nga gjaku i babait të tyre, pasi kishte të njëjtin grup.

Ndihmat

2 pako bebelin

Kryqi i Kuq

5 mijë lekë

një pensionist

10 mijë lekë

një biznesmen

10 mijë lekë

drejtoresha e Ndihmës Sociale në MPÇS

6.5 mijë lekë në muaj

pension, komuna Kutalli

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›