E Diel, 1 Nëntor 2026

Nëna dhe vëllai, vajtojnë Jolandën nga SHBA

26/03/2005  Varroset gruaja e vrarë nga ish-bashkëshorti

TIRANË - Përcillet në banesën e fundit, pa praninë e nënës e vëllait të saj, 29-vjeçarja e ekzekutuar nga ish-bashkëshorti i saj.

Në orët e pasdites së djeshme trupi i pajetë i Jolanda Dedëndreajt u dërgua në varreza, ndërsa në ceremoninë mortore, nga familjarët merrte pjesë vetëm motra e saj më e vogël. Nëna dhe vëllai, të cilët ndodhen në Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk mundën të udhëtonin brenda kësaj kohe për të marrë pjesë në këtë hidhërim. Sakaq, xhaxhai, daja dhe të afërm të tjerë morën rolin e personave që prisnin vizitat e ngushëllimeve.

Tashmë nga masakra e dy ditëve më parë ka mbetur vetëm dhimbje e lot.

Gjithçka ka ndodhur para dy ditësh në harkun kohor të dhjetë minutave, rreth orës 15.30, disa metra prapa fabrikës së tullave "Edil Çentro", në Laprakë, kur Artan Pango vjen i xhindosur nga një lokal i lagjes, zihet me të, bërtet me të madhe dhe qëllon ish-gruan, 29-vjeçaren Jolanda Dedëndreaj, duke i sjellë asaj vdekjen e menjëhershme.

Nga të afërm të vajzës, me origjinë nga Tropoja, mësohet se si motiv për këtë vrasje të dyfishtë ka shërbyer divorci i 13 ditëve më parë në Gjykatën e Tiranës, kur Jolanda deklaroi para gjykatësit se "nuk e duroj dot më praninë e tij në shtëpi. Dua të ndahem menjëherë nga ky njeri, që më ka marrë shpirtin".

Tjetër shkak i një masakre të tillë ka qenë "shtegtimi" i herëpashershëm i çiftit në disa shtete të Evropës si Anglia, Italia e së fundi Greqia.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›