E Diel, 1 Nëntor 2026

Tentojnë Italinë 20 persona,prangosen pesë trafikantët

26/03/2005  Rizgjohet kalimi klandestin

LUSHNJE - Operacioni për kapjen e autorëve, që do të trafikonin rreth 20 shtetas, nga Qarku i Durrësit, përfundoi me arrestimin e pesë personave në Divjakë të Lushnjës. Sipas informacionit të policisë lokale janë arrestuar shtetasit Abaz Bunica, 39 vjeç, Mirazh Shima 57 vjeç, Agim Dida, 24 vjeç, Ilia Shtraza, 29 vjeç dhe Vero Shkurta, 50 vjeç, që të gjithë këta nga qyteti i Durrësit.

Aksioni për kapjen e pesë shtetasve trafikantë të qenieve njerëzore ka nisur parmbrëmë, rreth orës 21.00, në zonën e Divjakës, pranë bregut të detit. Të lartëpërmendurit kishin mbledhur mbi 20 klandestinë në qytetin e Durrësit dhe i kishin transportuar ata me automjete të zakonshme që nga Durrësi deri në Divjakë. Ndërkohë, bëhet fjalë edhe për arrestimin e tre personave të tjerë nga Durrësit, por nuk ka informacion të plotë zyrtarë.

Në Divjakë, ata kishin grumbulluar klandestinët dhe po bëheshin gati që t’i fusnin deri në thellësi të detit, ku i priste një anije, më anën e të cilës do të bëhej edhe lundrimi drejt brigjeve të Italisë.

Në momentin që të gjithë klandestinët ishin së bashku, policia e Lushnjës ndërhyri për ndalimin e tyre. Uniformat blu sekuestruan në cilësinë e provës materiale edhe 6 automjete, me anë të të cilave ishte kryer edhe transportimi i klandestinëve nga Durrësi drejt Divjakës si dhe pesë celularë.

Burime zyrtare thonë se janë prerë tre urdhërarresti shtesë për persona që janë të lirë, por të identifikuar.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›