E Diel, 1 Nëntor 2026

Rrëshket hekurudha,rrezikohet lagja

26/03/2005  Strukturat shtetërore, indiferente, presin përmirësimin e kohës

SHKODËR - Hekurudha e dëmtuar rrezikon të shemb dhjetëra banesa në Shkodër, ndërsa strukturat përkatëse ende nuk kanë marrë asnjë masë, për të parandaluar atë çka mund të cilësohet katastrofë në një të ardhme të shpejtë.

Alarmin e japin vetë banorët e lagjes, pranë hekurudhës.

Dhe pse ka disa muaj që janë bërë prezente shqetësimet e para, ata thonë se tashmë ka ardhur momenti më kritik. Sipas tyre, shtëpitë afër stacionit të trenit po rrezikohen nga dëmtimet që i janë bërë trasesë së hekurudhës.

Kjo lagje ndodhet në zonën informale, rreth 1.5 km pranë stacionit hekurudhor të qytetit të Shkodrës, e krijuar pas vitit 1992. Banorët, shtëpitë e të cilëve ndodhen në krahun e majtë poshtë linjës hekurudhore Shkodër–Tiranë, thonë se pikërisht sipër shtëpive të tyre, traseja ka gërryerje të shumta.

Nga konstatimet janë vërejtur zgavra të mëdha, të krijuara jo vetëm nga faktorët atmosferikë, por edhe nga individë të papërgjegjshëm, të cilët pa u menduar për dëmin, që mund të shkaktonin, kanë marrë herë pas herë zhavorin e trasesë, për ta përdorur në ndërtimet e tyre ose për ta shitur. Rrezikun më të madh, këta banorë e vunë re gjatë shirave dhe përmbytjeve të këtij dimri, ku traseja filloi të dëmtohej aq shumë sa mund të rrezikonte edhe shembjen. Ndërsa ndjejnë rrezikun shumë pranë jo vetëm për banesat, por edhe për jetët e tyre, ata përsëri i janë drejtuar institucioneve lokale që të marrin masat e nevojshme për riparimin e kësaj traseje.

Nga ana tjetër, burimet nga zyrtarët e këtij stacioni hekurudhor, të interesuar edhe për mbarëvajtjen e punës së tyre në të ardhmen bëjnë të ditur se kanë kërkuar në instancat përkatëse për të ndërhyrë në këtë trase dhe na është premtuar se sa po të rregullohet koha do të bëjnë ndërhyrjet e nevojshme, por deri tani akoma nuk ka filluar asnjë punim.

Një banor i kësaj lagjeje tregon se banesa e tij ka pësuar demtime dhe se, ndërhyrja në trase duhet urgjente. Sipas këtij shtetasi, shtëpia e tij është shumë pranë rrëzimit, ndonëse shpreson në ndihmën që mund t’i jap shteti.

I njëjti shqetësim është prezent edhe te të tjerë banorë, të cilët nuk mendojnë se është e afërt dita që mund t’iu jepet ndihma.

Ky fenomen i shfaqur në një nga lagjet e qytetit të Shkodrës, për shkak të dëmtimeve në hekurudhë është prezent edhe në pjesë të tjera të vendit, atje ku banesat ndodhen afër hekurudhës. Pavarësisht nga fakti se shumë prej ndërtimeve janë kryer jashtë kritereve ligjore duhet ndërhyrja e shtetit për të evituar shembjet, por kryesisht për të mbrojtur jetët e njerëzve.

Në qytetin e Shkodrës, rreziku i shembjes së banesave nuk vjen kryesisht në lagjen pranë stacionit të hekurudhës. Në të tjera zona ka banesa tashmë të dëmtuara dhe të pariparushme. Shumë prej tyre janë ngritur pas vitit 1992 dhe me iniciativë individuale në kushte emergjente, pa marrë parasysh zonën dhe kushtet e nevojshme për ndërtimin e një shtëpie. Si pasojë e kësaj edhe strukturat shtetërore janë shumë pak të interesuar për t’u ndodhur pranë të dëmtuarve dhe atyre që kërkojnë ndihmë në momentet e fundit.

Në bashkinë e qytetit të Shkodrës nuk ka ndonjë njoftim të saktë se kur mund të ketë një ndërhyrje për banorët pranë hekurudhës. Atyre iu mbetet të shpresojnë dhe të nxitojnë për të shpëtuar jetët në rastin më të parë të rrezikut.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›