E Shtunë, 31 Tetor 2026

Aksione të Inspektoratit Ndërtimor në kryeqytet



Zbatimi i projekteve për rregullimin e territorit të kryeqytetit ka bërë që të shemben mjaft ndërtesa në zona të ndryshme të Tiranës. Sipas të dhënave të publikuara nga Bashkia e Tiranës, që nga krijimi i Inspektoratit të Ndërtimit, ky i fundit ka ekzekutuar 1270 vendime për prishje ndërtimesh. Ndërsa 189 ekzekutime të tjera janë kryer pas vendimeve të KRRT-së, e cila ka vendosur për shembjen e disa ndërtesave pa leje dhe që dëmtonin imazhin e qytetit. Në këto nisma të Bashkisë janë përfshirë të gjitha zonat e kryeqytetit, ku janë prishur një pjesë e madhe e ndërtimeve pa leje. Njëkohësisht pjesë e këtij procesi do të bëhen mjaft ndërtime të tjera, të cilat pengojnë zhvillimin urbanistik dhe infrastrukturën e një qyteti metropol si Tirana. Të gjitha aksionet e ndërmarra kanë hapur rrugën për transformimin dhe rritjen e cilësisë së jetës në blloqet e banimit. Pjesë e prishjes së ndërtimeve pa leje janë bërë zonat pranë Maternitetit të Ri, zona e Laprakës, “Ali Demi” etj. Ndërsa pritet që pjesë e kësaj pune të bëhen dhe zona të tjera ku Bashkia ka planifikuar të shtojë zonat e gjelbra, ndërtimet multifunksionale për t’i dhënë një zhvillim më të madh Tiranës. Zonat që do të preken nga shembja e ndërtesave do të jenë zona e Kamzës, të gjitha zonat që preken nga zbatimi i projektit për Unazën e Madhe etj.

Autoritetet shëndetësore, kontrolle produkteve ushqimore për festat e fundvitit

Autoritetet shëndetësore do të ushtrojnë kontrolle në të gjitha pikat e tregtimit të mallrave ushqimore për shtimin e sigurisë me rastin e festave të fundvitit. Inspektorët sanitarë të Tiranës kanë shtuar kontrollet higjieno-sanitare në linjat e ndryshme të prodhimit ushqimor dhe ato të ambalazhimit të ujit, furra buke, fast-foode, linja që prodhojnë brumëra, akullore etj. Drejtori i Autoritetit Shëndetësor të Tiranës, Mëhill Gecaj, u shpreh se ASHR-ja ka hartuar një plan masash për kontrollin e tregjeve të mëdha, si dhe pikave të prodhimit dhe tregtimit të ushqimeve në rrethin e Tiranës. Inspektorët sanitarë do të ushtrojnë vazhdimisht kontrolle, edhe gjatë ditëve të pushimit, duke përfshirë ditët e festave dhe ditët e para të vitit të ardhshëm. Nga kontrollet e ushtruara gjatë periudhës janar-tetor të vitit 2008, janë ushtruar kontrolle në 16 110 subjekte që kanë të bëjnë me ushqimet. Gjatë kontrolleve të ushtruara janë mbajtur dhe lënë 4658 procesverbale, nga të cilët 31 për bllokim paraprak të tregtimit të produkteve ushqimorë, 26 për groposje të produkteve ushqimorë të parregullt dhe 348 për marrje mostrash për analiza bakterologjike. Gjatë këtyre kontrolleve janë marrë masa për mbyllje të përkohshme për 78 subjekte, mbyllje përfundimtare për 38 subjekte, si dhe vendim me gjobë për 180 subjekte.

9 Dhjetor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›