E Diel, 1 Nëntor 2026

Bizneset e huaja, shtetet që investojnë më tepër në Tiranë

Më shumë se 80 për qind e investimeve të huaja vijnë nga vendet e BE-së. Shpërndarja e bizneseve të huaja në të gjitha rrethet e vendit

Emanuela Sako

Shtetet e BE-së zënë vendin e parë të investimeve nëpërmjet bizneseve të ndryshme në shqipëri. Të dhënat e përpunuara nga Bashkia e Tiranës tregojnë se më shumë se 80% e investimeve të huaja vijnë nga vendet e BE-së. Italia, Greqia, Turqia dhe SHBA-të janë vende që kanë investuar më shumë në ekonominë shqiptare. Megjithatë, kohët e fundit është vënë re një rritje e investimeve nga Kina dhe vendet e Lindjes së Mesme. Fluksi i investimeve të huaja ka ardhur gjithnjë në rritje duke arritur në 5.9% të GDP-së në vitin 2007, rritje kjo e ardhur kryesisht nga privatizimi në shkallë të madhe të sektorit të telokomunikacionit nga kompani të huaja. Investime të rëndësishme të huaja ka në sektorin financiar si dhe në sektorët e industrisë përpunuese, si ajo e këpucëve dhe e veshjeve, si dhe në tregtinë me shumicë. Kjo për faktin se këta janë sektorë që kanë një rikthim të shpejtë të kapitalit dhe kanë si objekt sektorë të ekonomisë me përqendrim të madh të krahut të punës.
Investimet
Shumica e bizneseve të huaja janë përqendruar në kryeqytet, por nuk përjashtohen qytetet e tjera të mëdha të vendit, ku fuqia blerëse është e lartë. Në vendin tonë, investimet e huaja janë përqendruar kryesisht në zonën e Tiranës me rreth 50%. Investime të tjera ka kryesisht në Durrës me 15 %, në Korçë 10%, në Fier me 5% dhe në Shkodër me 4% etj. Këto zona jo vetëm që kanë edhe të ardhurat më të larta për frymë, por edhe infrastrukturë më të mirë në krahasim me zonat e tjera. Ndërsa qytetet janë më pak të preferuara nga biznesmenët e huaj dhe kjo për shkak të mungesës së tregut, numrit më të vogël të popullsisë dhe mungesës së infrastrukturës. Fuqia punëtore në Tiranë zë 23 % të totalit të personave që punojnë në të gjitha bizneset, ato të huaja dhe vendase.
Bizneset
Përveç të dhënave që bëhen të ditura për bizneset e huaja, specialistët përcaktojnë shtrirjen e bizneseve dhe të gjitha ato biznese që janë më fitimprurëse. Studimi më i fundit i Bashkisë së Tiranës ka përcaktuar dhe bizneset më fitimprurëse në kryeqytet. Në vend të parë të bizneseve që kanë më shumë të ardhura janë ato që tregtojnë mallra apo ushqime me pakicë. Burime nga Bashkia e Tiranës bëjnë të ditur se bizneset me të ardhura më të larta në vit janë të gjitha aktivitetet e dyqaneve ushqimore, me veshje apo materiale të tjera, që nuk fusin shumë mall në xhiro. Sipas statistikave të kryera nga specialistët për vitin 2008, vendin e dytë për të ardhurat më të larta në ekonominë e kryeqytetit e zënë baret, restorantet, lojërat e fatit etj. Në përpunimin e të dhënave janë marrë parasysh të gjitha kategoritë e bizneseve dhe të ardhurat vjetore të tyre.

9 Dhjetor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›