E Shtunë, 31 Tetor 2026

Godo: “Do të ndëshkohet kush nuk kujdeset për aparaturat e spitaleve”



Personeli shëndetësor duhet të tregohet i kujdesshëm në mirëmbajtjen e aparaturave duke zbatuar me korrektësi kontratat me firmat mirëmbajtëse. Në të kundërt, do të penalizohet financiarisht. Paralajmërimi për ndëshkimin e bluzave të bardha që nuk kujdesen për aparaturat është bërë nga ministrja e Shëndetësisë, Anila Godo. Përsa i përket mungesës së specialistëve, Godo siguroi: “Unë ju premtoj që nuk do të prish asnjë kontratë të specialistëve. Çdo specialist do të punojë për 5 vjet në qytetin që i ka siguruar këtë specializim, ose në të kundërt do të penalizohet edhe financiarisht, ashtu sikurse jemi duke punuar për të gjetur një zgjidhje edhe për mungesën e specialistëve në zona të thella të vendit”. Fundjavën që sapo lamë pas, ministrja e Shëndetësisë ia rezervoi inspektimit të spitaleve në jugperëndim të vendit. Në kuadrin e inspektimit të spitaleve të vendit, numri një i Shëndetësisë, Anila Godo, ka zbritur gjatë fundjavës në jugperëndim të Shqipërisë. Ndalesa e parë e saj ishte në Përrenjas, për të vijuar më pas me Pogradecin, Bilishtin e Korçën. Në Përrenjas, ministrja Godo, u njoh me problemet e infrastrukturës që kishte ky spital, si dhe me mungesën në medikamente dhe aparatura, sidomos ato laboratorike. Për këtë ajo ka kërkuar angazhim të stafit mjekësor dhe të pushtetit vendor për fuqizimin e shërbimeve. Gjithashtu Godo shpjegoi reformën më të madhe dhe të rëndësishme në Shëndetësi, e cila që nga janari i 2009-s do të prekë të tëra spitalet e vendit. “Ne nuk do të mbyllim asnjë spital, por do të mundohemi të kthejmë shërbimet e tyre sa më të dobishme në ndihmë të qytetarit”, - shpreh Godo gjatë vizitës në këtë spitalin e Përrenjasit. Sipas saj, decentralizimi nga qendra në rajone do të bëjë që çdo spital të jetë një menaxher i mirë për veten dhe të jetë ai që të dijë e të përgjigjet për nevojat e tij. Në vazhdim të turit, ministrja Godo u ndal në Spitalin e Pogradecit. Një nga problemet e evidentuara dhe më të rëndësishme ishte trajtimi i pacientëve me dializë. Ministrja Godo shprehu mbështetjen e saj absolute dhe përpjekjet e saj me çdo delegacion të huaj për donacione në këtë pikë mjaft delikate. Ndërsa në Spitalin e Bilishtit ministrja Godo u njoh me mungesat e aparaturave dhe premtoi zgjidhjen sa më të shpejtë që në fillim të vitit 2009. Ndalesa e fundit e ministres së Shëndetësisë ishte ajo në Spitalin rajonal të Korçës. Në këtë spital ajo pati një takim të gjatë me drejtuesit dhe personelin.

9 Dhjetor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›