E Diel, 1 Nëntor 2026

Harxhi, masa parandaluese për transmetimin e HIVAIDS-it nga nëna te fëmija



Ministria e Shëndetësisë do të marrë masa parandaluese për parandalimin e përhapjes së virusit HIVAIDS nga nëna te fëmija.
Drejtori i Planifikimit të Politikave Shëndetësore në Ministrinë e Shëndetësisë, Arian Harxhi, shprehet se Shqipëria mendon të implementojë shumë shpejt masat për parandalimin e transmetimit vertikal të infeksionit. Sipas tij, do të bëhet testimi i grave shtatzëna nëpërmjet ndërhyrjeve me anë të medikamenteve. “Gjithashtu, element tjetër i rëndësishëm është testimi sa më agresiv dhe mjekimi në fazë të hershme i infeksionit, që jo vetëm përmirëson kushtet dhe jetesën e personit të infektuar, por dhe ndikon në parandalimin e transmetimit të infeksionit”, - u shpreh Harxhi. Në vendin tonë numërohen 36 persona të prekur vetëm brenda vitit 2008. Numri i personave të prekur nga virusi vdekjeprurës po vjen në rritje të vazhdueshme dhe masat parandaluese janë të domosdoshme. Një përpjekje e rëndësishme është edhe parandalimi i virusit nga nëna te fëmija. Ministria e Shëndetësisë synon të përfshijë në Strategjinë Kombëtare kundër HIV/AIDS, 2008-2014, mënyrat e reja parandaluese për transmetimin vertikal të infeksionit HIV.

9 Dhjetor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›