E Diel, 1 Nëntor 2026

Fermerët, sa duhet të paguajnë për të mos rrezikuar pensionin



Jonida Tashi

Fermerët duhet të futen në skemën e sigurimit për të mos humbur jo vetëm pensionin, por edhe përfitimet që vijnë si pasojë e përfshirjes në skemë. Sipas drejtorit të Drejtorisë së Kontributeve në ISSH, Naim Ballukut, futja në skemë e fermerëve nuk është vetëm një detyrim ligjor, por edhe një përkujdesje sociale. Ndërkohë që në praktikën e përditshme ka pasur raste që disa fermerë janë kujtuar për t’u siguruar vetëm atëherë mbasi kanë plotësuar moshën për pension, leje lindje, ose mbasi janë bërë të paaftë për shkak sëmundje. Sigurimi në këto rrethana është i jashtëligjshëm. Pra, në këto raste, i moshuari mbetet pa pension pleqërie, invalidi mbetet pa pension invaliditeti, dhe nëna e re mbetet pa shpërblim lindje dhe pa leje lindje. Balluku, shprehet se ISSH do të vijojë të ketë prioritet gjatë gjithë kohës përfshirjen në skemë të gjithë fermerëve, qofshin ato të shkëputur në periudha të ndryshme, ashtu si edhe ata që hyjnë për herë të parë. “Jemi në një fazë të mbledhjes së të gjithë informacionit për çdo fermer, që të mundësojmë dhënien e informacionit për të gjithë ata që duhet të jenë në skemë, por sidomos për të gjithë ata që janë në prag të pensionit dhe për shkak të periudhave të papaguara rrezikojnë të mos përfitojnë pension të plotë”, - sqaron Naim Balluku.
Ndryshimet në 2008
ISSH-ja ka bërë të ditur se kuotat e pagesave të detyrueshme për vitin 2008 në zonat fushore dhe malore kanë ndryshuar. Aktualisht, në zonat fushore detyrimi vjetor për sigurimin shoqëror të fermerëve është 1200 mijë lekë dhe në zonat malore 7800 lekë. “Duke qenë se kontributet për sigurimet shoqërore të fermerëve duhet të paguhen brenda 3 mujorit, atëherë çdo fermer mund të paguajë brenda tremujorit të parë deri më datë 31.03.2008 pa kamatvonesë”,- sqaron Balluku, sipas të cilit, vitin e kaluar u bë e mundur futja në këtë skemë e 15 mijë kontribuesve të rinj. Ndërkaq, Balluku ka kujtuar se vijon të mbetet në fuqi skema e plotësimit të viteve të papaguara që nga 1 tetori i vitit 1993.
Kategoritë emergjente
Drejtori i Kontributeve, Balluku, ka veçuar njëkohësisht edhe “kategoritë emergjente”, siç i konsideron ai kategoritë më të rrezikuara për shkak të mosplotësimit të disa periudhave, apo të mospërfshirjes në skemë. Sipas tij, fermerët e pa përfshirë fare në skemë, të cilët janë krejtësisht të pambrojtur nga ligji i sigurimeve shoqërore dhe që janë jashtë çdo përfitimi. Ndërkohë që problem mbeten fermerët që janë në prag të plotësimit të moshës së pensionit dhe nuk kanë vjetërsinë e punës për të përfituar një pension qoftë dhe të pjesshëm. Për këtë Balluku shprehet: “Një fermer që ka vjetërsi në kooperativë 14 vite nuk përfiton asgjë nëse nuk sigurohet minimalisht dhe për 1 vit sigurim, për të plotësuar 15 vite aq sa është minimumi i vjetërsisë në punë për përfitimin e pensionit të pjesshëm”. Gjithashtu, ai ka kujtuar se e njëjta thirrje vlen edhe për ata fermerë që janë në prag të plotësimit të moshës për pension dhe nuk kanë vjetërsinë e duhur për të përfituar pension të plotë. Për shembull, një fermer ka vjetërsi të përgjithshme në punë prej 33 vitesh, ndërsa për të përfituar pension të plotë duhen 35 vite. Një thirrje të veçantë Naim Balluku i bën edhe çifteve të reja për t’u futur në skemë për të përfituar shpërblimin dhe lejen e lindjes.
Rregullat
Fermerët për t’u siguruar kanë pikë kontakti në çdo komunë. Aplikuesi duhet të paraqesë aktin e pronësisë mbi tokën, apo akte të tjera noteriale që vërtetojnë marrjen me qira, apo tjetërsimin e tokës në favor të tij. Së bashku me këto dokumente, aplikuesi duhet të paraqesë edhe një vërtetim nga komuna që ka aktivitet bujqësor apo blegtoral si dhe një certifikatë personale të gjendjes civile. Me procedurat plotësuese pas pagesës merret inspektori, i cili më pas pajisë kontribuuesin me librezën e sigurimit shoqëror dhe shëndetësor. Sipas vendimit të qeverisë, janë klasifikuar si zona malore dhe rrjedhimisht përfitojnë lehtësira më të mëdha, të vetëpunësuarit që ushtrojnë aktivitet bujqësor e blegtoral në rrethet, Bulqizë, Dibër, Gramsh, Has, Kolonjë, Kukës, Librazhd, Malësi e Madhe, Mat, Mirditë, Pukë, Skrapar, Tepelenë e Tropojë.

Procedurat
1. Merr takim me inspektorin e sigurimeve shoqërore në komunë, sipas njoftimit që i dërgohet në familje nga ky i fundit.
2. Merr informacionin e nevojshëm nga inspektori për masën vjetore të kontributeve, detyrimet që ka për efekt të sigurimeve shoqërore, përfitimet që i lindin nga ky sigurim dhe dokumentacionin që do të paraqesë.
3. Dorëzon te inspektori i të vetëpunësuarve në bujqësi, një certifikatë të gjendjes civile si dhe dokumentet që vërtetojnë kriteret e përcaktuara me sipër për t’u siguruar si i vetëpunësuar në bujqësi si: aktin e pronësisë mbi tokën (certifikatë pronësie), apo akte të tjera noteriale që vërtetojnë marrjen me qira, apo tjetërsimin e tokës në favor të tij; vërtetim nga komuna që ka aktivitet bujqësor apo blegtoral; certifikatë personale të gjendjes civile.
4. Mbasi dorëzon dokumentet e mësipërme, inspektori i sigurimeve shoqërore, plotëson urdhër veprimin për pagesën që do të bëjë fermeri.
5. Fermeri, me urdhër veprimin, paraqitet në degën e Postës Shqiptare, apo bankave dhe paguan shumën e përcaktuar.
6. Me konfirmimin e pagesës, inspektori i sigurimeve shoqërore, pajisë kontribuuesin me librezën e sigurimit shoqëror dhe shëndetësor, që i jepet direkt nëpërmjet inspektorit të sigurimit të vetëpunësuarve në bujqësi.

Çfarë përfitohet me pagesat e kontributeve të fermerëve

1. Të gjitha llojet e pensioneve ashtu sikurse të vetëpunësuarit në qytet
2. Shpërblim dhe leje lindje
3. Sigurim shëndetësor

Nr. Vitet Masa vjetore e kontributit për t`u paguar (leke)
Zona fushore Zona malore
1 Nga 1.10.1993 deri 31.12.1993 405 243
2 1994 1,620 972
3 1995 1,620 972
4 1996 1,620 972
5 1997 1,620 972
6 1998 1,620 972
7 1999 1,620 972
8 2000 1,620 972
9 2001 1,620 972
10 2002 3,890 2,335
11 2003 5,215 3,592
12
2004 6,951 4,790
13 2005 7,820 5,390
14 2006 9,455 6,223
15 2007 10,000 6,500
16 3 muj.I/re 2008 3,000 1,950
Shuma sig. Shoq. 59,696 38,799

24 Prill 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›