Projektligji, si do të profilizohen stomatologët
Emanuela Sako
Ndryshon sistemi i ushtrimit të punës së stomatologëve. Projektligji i ekspertëve të shëndetësisë, ka gjetur miratimin e Këshillit të Ministrave, për profilizimin e stomatologëve në disa kategori të kësaj fushe, që do të thotë se një stomatolog do t’i shërbej klientit vetëm për një problem të caktuar të kësaj fushe, ndërsa për problemet e tjera dentare do të drejtohet te një tjetër stomatolog. Për problemet e shumta që ka shërbimi stomatologjik, qeveria ka vendosur në ditën e djeshme, miratimin e draftit me disa pika që i referohen mënyrës se si do të funksionojë në vazhdim ky shërbim. Projektligji do të sjellë një përmirësim të ndjeshëm në aksesin dhe cilësinë e ofrimit të shërbimit shëndetësor stomatologjik, komunitetit. Ligji aktual i “Për shërbimin shëndetësor stomatologjik është miratuar në vitin 1996. Për këto arsye si dhe në kuadër të të gjithë reformave që po ndërrmeren në sistemin shëndetësor, pranë Ministrisë së Shëndetësisë u ngrit një grup pune i përbërë nga specialistë të ndryshëm të institucioneve shëndetësorë si dhe përfaqësues të grupeve të interesit dhe përgatitën këtë projektligj.
Projektligji
Projektligji i propozuar parashikon ndryshime të rëndësishme të lidhura me detyrimin që ka shteti për të përballuar financiarisht trajtimet stomatologjike të grupmoshave apo kategorive të përcaktuara me ligj apo me akte nënligjore. Po kështu, projektligji parashikon detyrimin e të gjithë subjekteve që ushtrojnë aktivitetin e tyre në fushën e stomatologjisë për t’u licencuar. Duke pasur parasysh se shumë subjekte punojnë duke mos pasur licencë, tashmë do të bëhet identifikimi i të gjithë personelit që ushtron aktivitetin në fushën e stomatologjisë, duke përfshirë profile të reja të kësaj fushe. Një tjetër hap i rëndësishëm që është vendosur nga ekspertët është futja shërbimit shëndetësor stomatologjik në institucionet arsimore, si dhe përcaktimi për mënyrën e ofrimit të urgjencave stomatologjike.
Mbikëqyrjen e shërbimit shëndetësor stomatologjik nga Inspektorati shëndetësor stomatologjik.
Shkeljet
Në këtë projektligj parashikohen kundravajtjet administrative të tilla si, ushtrimi i aktivitetit shëndetësor stomatologjik pa licencën përkatëse, sipas këtij ligji si dhe ofrimi i shërbimit në kundërshtim me kriteret e përcaktuara nga Ministria e Shëndetësisë. Në nenin 6 të këtij ligji është parashikuar që publicitet e ndryshme që kryejnë subjektet stomatologjike duhet të jenë sa më transparente dhe të sakta. Kjo pikë është vendosur duke ju përgjigjur kështu shqetësimeve të ngritura si nga specialistët stomatologë ashtu edhe nga grupet e interesit për abuzime të ndryshme që kryhen me një të drejtë të tillë. Projektligji është dërguar për mendim në Ministrinë e Drejtësisë, Financave, Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta , Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës dhe në Ministrinë e Ekonomisë Tregtisë dhe Energjetikës. Ministria e Ekonomisë Tregtisë dhe Energjetikës është shprehur parimisht dakord, duke bërë disa sugjerime të cilat lidhen me reformën rregullatore duke sugjeruar përfshirjen e parimeve të reformës rregullatore në nenin 6 “Licencimi”. Lidhur me këtë sugjerim, Ministria e Shëndetësisë në këtë nen ka parashikuar për herë të parë licencimin e subjekteve edhe nga autoritet shëndetësore të autorizuara nga Ministria e Shëndetësisë që është një hap i ndërmarrë në kuadër të reformës rregullatore. Gjithashtu në këtë nen është përcaktuar se kriteret dhe mënyra e licencimit të subjekteve që licensohen në fushën e stomatologjisë përcaktohen me Vendim të Këshillit të Ministrave. Shpeshherë qytetarët janë ankuar për këtë shërbim, që ushtrohet në kushte jashtë standardeve higjienike dhe profesionale, ku shumica e klinikave janë ngritur në katet e sipërme të pallateve. Kjo bën që verifikimi nga kontrollet e Ministrisë së Shëndetësisë të jetë tepër i vështirë dhe për më tepër aktiviteti i tyre është i palicencuar.
Projektligji i propozuar parashikon ndryshime të rëndësishme të lidhura me:
Detyrimin që ka shteti për të përballuar financiarisht trajtimet stomatologjike të grupmoshave apo kategorive të përcaktuara me ligj apo me akte nënligjore.
Detyrimin e të gjithë subjekteve që ushtrojnë aktivitetin e tyre në fushën e stomatologjisë për tu licencuar.
Identifikimin e të gjithë personelit që ushtron aktivitetin në fushën e stomatologjisë, duke përfshirë profile të reja të kësaj fushe.
Përcaktime për shërbimin shëndetësor stomatologjik në institucionet arsimore
Përcaktime për mënyrën e ofrimit të urgjencave stomatologjike
Mbikëqyrjen e shërbimit shëndetësor stomatologjik nga Inspektorati Shëndetësor Stomatologjik.
Ndoka në Skoci, bashkëpunim konkret për reformat në shëndetësi
Ministri i Shëndetësie, Nard Ndoka, gjatë vizitës së tij në Skoci, zhvilloi një takim me Ministren e Shëndetësisë së Skocisë, Nikola Strugron. Gjatë këtij takimi, Ndoka informoi për reformat e ndërmarra në sistemin shëndetësor shqiptar, në kuadër të kalimit nga modeli i vjetër në një model të ri organizimi e financimi, të krahasueshëm me vendet e zhvilluara europiane. Ministri u ndal në dy ligjet bazë, atë të sistemit shëndetësor dhe financimit shëndetësor, si dhe në klimën e re të nxitjes dhe mbështetjes së rritjes së konkurrencës profesionale midis qendrave spitalore dhe spitaleve publik e private në Shqipëri. Ministrja Strugron ofroi mbështetjen politike dhe teknike të ministrisë dhe qeverisë për sistemin shëndetësor shqiptar. Konkretisht, u ra dakord për ekspertizë dhe bashkëpunim në fushën e monitorimit dhe të vlerësimit të ofrimit të shërbimit shëndetësor; në mënyrën e mbledhjes, përpunimin dhe vënies në dispozicion të ofruesve të shërbimit (qendrave shëndetësore) të informacionit shëndetësor; në mbikëqyrjen e brendshme dhe inspektimin e jashtëm. Po kështu u ra dakord për një bashkëpunim për udhëzuesit e praktikës mjekësore, si dhe për bashkëpunimin midis strukturave shëndetësore dhe atyre të Sigurimeve Shëndetësore.
24 Prill 2008