Migrena, pasojat që sjellin përdorimi i shpeshtë i ilaçeve
Shumë njerëz që vuajnë nga migrena përdorin barna kundër dhimbjeve. Shkencëtarët thonë se kura kundër migrenës mund të jetë më e keqe sesa sëmundja. Ndër ilaçet që përfshihen për trajtimin e dhimbjeve të kokës që shkaktohen nga migrena janë buta-bital dhe oxy-codone. Por një studim i kohëve të fundit tregon se përdorimi i shpeshtë i ilaçeve kundër dhimbjeve mund ta bëjnë migrenën kronike. Mjekët pranë kolegjit mjekësor “Albert Ajnshtajn” morën në shqyrtim 24 persona që vuanin nga dhimbje të kokës. Gjatë studimit këtë pacientë u pyetën se çfarë ilaçesh merrnin kundër këtyre dhimbjeve. Ata që merrnin ilaçe kundër dhimbjeve të kokës të paktën tetë herë në muaj kishin dy herë më shumë gjasa që brenda një viti këto dhimbje të bëheshin kronike. Gjithashtu, mjekët vunë re se pacientët që merrnin ilaçe josteroidale kundër migrenës si për shembull aspirinë, advil e motrin, nuk ndodheshin në rrezik të madh për t’u prekur nga migrena kronike.
Sëmundja
Migrena është një sëmundje neurologjike me dhimbje pulsative të kokës e shoqëruar me marrje mendsh, vjellje, ndjeshmëri ndaj dritës, zërave dhe ndaj aromave. Sëmundja fillon me simptomë prodromale, gjysmë deri një orë para dhimbjes së kokës, me eufori, depresion, lodhje, puls të shpejtuar, anoreksi. Pastaj vijon dhimbja e fortë e kokës në të shumtën e rasteve vetëm nga njëra anë, por jo gjithnjë. Gjatë aktiviteteve trupore keqësohen simptomat. Shpesh shoqërohet dhimbja e kokës me marrje mendsh, vjellje, fotofobi dhe fonofobi. Faktorët të cilët ndikojnë dhe shkaktojnë dhimbje koke janë: stresi, ndryshimi i bioritmit, mungesa e gjumit, ushqimi (djathi, çokollata, çaji, bananet, lajthia, arra, bajamja), alkooli, droga, ndryshimi atmosferik si dhe ndryshimi hormonal tek femrat.
Shkaktarët
Mendohet se migrena shkaktohet nga çlirimi i një substance kimike të quajtur serotoninë ose 5HT në gjak, që shkakton ndryshime në enët e gjakut në tru. Se çfarë ndodh me saktësi është ende e paqartë, por një numër shkaqesh janë identifikuar, të cilat ndryshojnë nga personi në person. Në më të shumtën e rasteve ndodh një kombinim faktorësh që çojnë në krizë, ku mund të përfshihen faktorë ushqyes si çokollata, fruti i portokallit, limoni, brumërat, djathërat, alkooli (veçanërisht vera e kuqe), kafeina, mungesa e vitaminave, ushqime të përpunuara.
Diagnoza
Diagnoza e migrenës bëhet nga pyetja e saktë e pacientëve si dhe nga studimi i historisë së sëmundjeve të pacientëve. Metoda speciale laboratorike për diagnozën e migrenës nuk ekzistojnë. Pra, migrena është sëmundje, e cila me mjete të mjekësisë nuk mund të verifikohet pa probleme. Mirëpo, me ndihmën e Elektroencephalografisë (EEG), Computertomografisë (CT), Ultrazërit, mund të përjashtohen dhimbjet e shkaktuara nga tumoret, gjakderdhja në tru, etj.
Patogjeneza
Edhe pse patogjeneza nuk është plotësisht e sqaruar, në vitet e fundit është grumbulluar evidencë, sipas së cilës kjo sëmundje është të paktën pjesërisht një kanalopati. Kanalopatitë janë sëmundje kryesisht gjenetike, që kanë si shkak një çrregulluesi të përçimit të joneve në kanalet jonike të membranave celulare. Shtysa kryesore e kësaj hipoteze ishte zbulimi që Migrena Familjare Hemiplegjike, megjithëse një formë e rrallë migrene, është një sëmundje trashëguese e tipit autozomal dominant me mutacione të gjeneve në kromozomin e 19, që bëjnë kodimin e kanaleve të kalciumit (Ca2+) të veçanta për neuronet. Kjo shpjegon edhe faktin që bllokuesit jospecifik të kalciumit kanë rol preventiv në këtë patologji. Shumë premtuese qe për një kohë të gjatë hipoteza e “spreading depression”(e vëzhguar së pari më 1944 nga Leao në trurin e lepurit pas shpimit me gjilpërë), por mosvërejtja e këtij fenomeni tek njerëzit pothuajse e ka shuar entuziazmin në këtë drejtim.
Kurat popullore
Në mjekësinë popullore për të lehtësuar dhimbjet e migrenës rekomandohen disa bimë kuruese. Një prej këtyre bimëve është bari i bletës, e cila është një bimë mjaft e njohur në mjekësinë popullore. Prej kohësh çaji i përftuar nga kjo bimë ka ndihmuar në parandalimin dhe lehtësimin e shumë sëmundjeve. Një rol të rëndësishëm lulebleta luan në qetësimin e dhimbjeve të migrenës. Çaji rekomandohet kryesisht kur ajo karakterizohet nga dhimbje të forta të kokës dhe sidomos në gjysmën e saj. Në këtë rast këshillohet të pihet menjëherë një gotë çaj Barlete. Shumë shpejt të sëmurët do shohin rezultatet e shkëlqyera të bimës.
Përdorimi i vajit të farës së zezë është një tjetër ndihmë për të sëmurët me migrenë. Doza normale për të rritur është: Një lugë çaji në mëngjes dhe një në mbrëmje ose 2-3 kapsula në ditë, ndërsa për fëmijë nën 8-vjeç, gjysma e sasisë së lartpërmendur. Marrja e dozës orale, aplikimi në ballë, ose ne pjesën me dhimbje është një kurë shumë e mirë për të lehtësuar dhimbjet. Migrena luftohet me sukses edhe nëse përdoret çaji i përfituar nga bima kualitative dhe e shëndosh bari shumëfletësh në përzierje me bimën kualitative dhe të shëndoshë fara e zezë. Nga kjo përzierje duhet të pihen tre filxhan çaji në ditë derisa të eliminohet sëmundja.
Mjekimi i migrenës
Terapia e migrenës bëhet në dy shtylla: terapia akute dhe terapia profilaktike (parandaluese).
Terapia akute
Për rastet akute të dhimbjes së kokës preferohen: Triptanët: sumatriptani, zolmitriptani, eletriptani, rizatriptani, naratriptani dhe frovatriptani.
Anti-inflamatorët: acidi acetylsalicik (Aspirinë), paracetamol, ibuprofen.
Antiemetikët (kundër vjelljes): domperidon, gjithashtu edhe ergotamini, dihidroergotamini.
Terapia profilaktike
Për parandalimin dhe reduktimin e paraqitjes së dhimbjes rekomandohen:
Betabllokues: metoprolol, propranolol.
Bllokues të kanalit të kalciumit: flunarizin.
Gjithashtu si medikamente të dorës së dytë: valproat, topiramat.
Si metoda pa medikamente vlen të përmenden qetësimi në dhoma të errëta pa zhurmë, terapia aromatike dhe trajnimi autogjen.
Të dhëna për sëmundjen
Format
Eksitojnë dy lloje kryesore të migrenës: migrena me aurë dhe migrena pa aurë. Aura zgjatë deri më 60 minuta. Ajo paraqitet me halucinacione optike.
Komplikimet
Migrena kronike: më shumë se 15 ditë në muaj dhimbje koke.
Statuti i migrenës: 72 orë pa ndërprerje të dhimbjes së kokës.
Infarkti i migrenës: dëmtimi i trurit si pasojë e migrenës.
Prevalenca
Nga migrena vuajnë 18 për qind e grave dhe 6 për qind e meshkujve. Ajo manifestohet për herë të parë rreth moshës 25 deri 45-vjeçare. Deri në pubertet vuajnë meshkujt dhe femrat në përmasa 1 me 1, pastaj në moshën e rritur femrat vuajnë tre herë më shumë se meshkujt.
Shkaktarët
Faktorët hormonalë: menstruacionet, hipertensioni apo menopauza
Faktorët psikologjikë: presioni i lartë i gjakut, dhimbjet e dhëmbëve, dhimbjet e syve, sinozitet apo bllokimi i hundëve
Streset emocionale: zemërimi apo depresioni, emocionet e forta, shokimet, çlirimi i tensioneve, çlirimi nga streset.
Streset fizike: mbilodhja, aktiviteti, ndryshimi i rutinës, çrregullimet e gjumit, çrregullimet seksuale.
Faktorët ambientalë: ndryshimi i klimës, lagështira, zhurmat, zërat e lartë, drita.
Faktorët ushqyes: çokollata, portokalli, limoni, brumërat, djathërat, alkooli (veçanërisht vera e kuqe), kafeina, mungesa e vitaminave, ushqime të përpunuara
Përgatiti: Jonida Tashi
Studimi, bie niveli i veprimtarive fizike tek vajzat
Edhe pse me arritje të shumta në fushën e sportit, vajzat duket se nuk bëjnë ushtrime të mjaftueshme fizike. Rezultatet e këtij studimi të kryer nga ekspertë pranë universitetit të Minesotës kanë krijuar shqetësime. Autorët e studimit thonë se vajzat janë më pak të prirura për t’u marrë me fizkulturë në krahasim me djemtë. Gjithashtu, ato janë më të prirura të mos i vazhdojnë rregullisht këto ushtrime. Veprimtaritë atletike u sjellin vajzave shumë të mira përfshi, vetëbesimin, mundësi më të shumta shoqërore dhe rezultate më të mira akademike, krahas formës së tyre më të mirë fizike. Por përse kjo rënie në veprimtaritë fizike të vajzave? Autorët e studimit vënë në dukje një numër arsyesh si për shembull: pakënaqësinë ndaj pamjes së jashtme, punën e dobët të trajnerëve, si dhe rolin e shtypit, i cili shpesh e lidh imazhin e femrës me atë të seksit. Gjithashtu, si djemtë që nuk shkëlqejnë në sport, vajzat që nuk japin rezultate të mira që në fillim, lihen mënjanë nga trajnerët, të cilët parapëlqejnë atlete më të mira. Disa prej rekomandimeve që ofron studimi për zgjidhjen e këtyre problemeve janë: trajtimi i çështjes së imazhit të trupit që në shkollë fillore si dhe krijimi i standardeve që mësuesit e gjimnastikës dhe trajnerët e të rinjve duhet të plotësojnë para se të lejohen të merren me këtë punë. Duke krijuar një atmosferë më të mirë në këtë drejtim, vajzat do të ndjehen më mirë rreth vetes dhe aftësive të tyre.
24 Prill 2008