Gangsterë të rinj në politikën e vjetër
Nga GAQO APOSTOLI
Ka afro një dekadë e gjysmë që politika e vjetër vazhdon të përdhosë zgjedhjet e lira në Shqipëri, duke deformuar demokracinë, pluralizmin dhe institucionet e shtetit të së drejtës. Gjatë kësaj periudhe, tipari kryesor që liderët e binomit PD&PS kanë shfaqur dukshëm reciprokisht, janë simptomat e rënda të gangsterizmit politik në drejtimin e shtetit. Në këtë kontekst, mund të thuhet se jetojmë në një kohë të gangsterëve të vjetër e të rinj të politikës së vjetër, të cilët përdhosin çdo normë konstitucionale, morale dhe njerëzore. Dhe ajo ç`ka duket plotësisht qartë edhe sot, është se radhët e gangsterizmit politik janë shtuar me gangsterë të rinj. Këta gangsterë të rinj të politikës së vjetër janë edhe më të rrezikshëm, sepse flasin në emër të një politike të re, të cilën, përmes marshimeve dhe britmave politike të një histerie fashiste, e kanë çuar në kufijtë e një inflacioni katastrofik.
Para më shumë se 40 ditësh, më 15 Mars 2008, krimi shtetëror i kryegangsterit të politikës së vjetër qeverisëse, Sali Berisha, vrau dhe rrënoi jetën e banorëve të Gërdecit, duke traumatizuar tërë shqiptarët. Para afro dy javësh, kryegangsteri i ri i të njëjtës politikë të vjetër, Edi Rama, organizoi Asamblenë e Partisë Socialiste pranë rrënojave të Gërdecit. Kësaj here, jo për të mbledhur ndihma për familjet e vrara, të gjymtuara dhe të shkatërruara nga tragjedia e 15 Marsit 2008. Pranë Gërdecit tragjik, forumi i lartë i partisë së tij u mblodh për të vrarë pluralizmin.
Si një komedian i vërtetë, Rama, me sa duket, donte t`i tregonte opinionit të gjerë se e mori edhe “bekimin” e të rënëve nën rrënojat gërdeciane për hilenë e madhe elektorale që po i servir Shqipërisë. Përmes këtij akti, duke fyer të mjerët e Gërdecit nën rrënoja e mbi rrënoja, me diabolizmin dhe sadizmin e ogurzinjve të tij, lidershipi i PS-së kërkoi t`i japë dhimbjes së lemerishme dimensionin e tragjikomedisë. Veçse Gërdeci fatkeq, që ulurin për ndihmë njerëzore dhe drejtësi qiellore, nuk mbulohet dot me kartonët parlamentarë të binomit Rama & Berisha e të ndonjë vasali të tyre, të cilët po përgatisin një katastrofë të re elektorale, vrasjen afatgjatë të pluralizmit.
Mbledhja e forumit të lartë të Ramës diabolizoi në Vorë, shumë pranë Gërdecit, sistemin e ri elektoral të një tipi proporcional rajonal që kërkon të masakrojë pluralizmin politik. Bashkë me të, forumet e larta të Berishës iniciuan në sinkron një masakër të çmendur edhe mbi Kushtetutën e Shqipërisë. Pas përgjakjes në masë të njerëzve, në Vorë pranë Gërdecit, filloi përgjakja e Pluralizmit dhe e Kushtetutës së Shqipërisë. Me sa duket, tashmë edhe simbolika e emrit “Vorë” ka filluar të jetë ndjellakeqe, “vorr”. Rama&Berisha, këta qeveritarë të sotëm të Shqipërisë, i bashkon dukshëm edhe një makutëri, e frikshme deri në përbindëshmëri, për pushtet të pafund politik dhe qeverisës.
Në seancën e fundit parlamentare, koalicioni i këtyre gangsterëve të politikës së vjetër, në mënyrë tragjike çuan drejt një vrasje afatgjatë pluralizmin, demokracinë dhe Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë. Në këtë kohë të gangsterëve të vjetër dhe të rinj të politikës shqiptare, e Keqja po dominon dukshëm mbi të Mirën, përpjekjet e së cilës janë ende të pamjaftueshme në këtë shoqëri me një tërësi segmentesh të komprometuara dhe të korruptuara deri në inkriminim. Në këtë kuptim, parlamenti i përçudnuar i MegaDushkut, duke votuar për dobësimin e mandatit kushtetues të Presidentit të Republikës në favor të forcimit deri në çimentim të mandatit dhe rolit ekzekutiv të kryeministrit, nisur edhe nga precedentët e lemerishëm të keqqeverisjeve permanente, po çon realisht drejt një qeverisje me dimensione totalitare.
Në kushtet e Shqipërisë, pluralizmi i sotëm, sado fals dhe i deformuar për fajet kriminale të gangsterëve të vjetër të politikës shqiptare, nuk duhet të vritet apo të çohet në një gjendje kome afatgjatë nga thuajse të njëjtat pjella të së Keqes, tashmë e shumuar me gangsterë të rinj të politikës së vjetër, që shkelin pa mëshirë mbi procedura të shenjta konstitucionale, njerëzore dhe morale. Pluralizmi i sotëm duhet vetëm të korrigjohet përmes mekanizmave që e zhvillojnë atë në mënyrë ligjore dhe natyrale. Votimi i sistemit proporcional rajonal nga ky parlament i mbushur me plot defiçenca në çdo dimension të tij, të çon në asgjësimin e pluralizmit të sotëm përmes metodave vrastare në ndarjen e mandateve të deputetëve në rajone, si dhe në ndërtimin e një bipolariteti të rrezikshëm gangsterial, të cilin shoqëria jonë do ta vuajë sërish dhe për shumë kohë.
Gangsterët e politikës, të vjetër e të rinj, për interesa të tyre klanore, pa e përfillur shoqërinë shqiptare dhe mendimin e gjerë e të kualifikuar të saj, po e çojnë sërish atë përdhunshëm në shtigje të reja të politikave elektorale “të pashkelura” dhe në dobësimin e institucioneve kushtetuese mbipartiake që garantojnë unitetin e popullit. Sidoqoftë, “Zari i së Keqes” u hodh sërish në terrenin e politikës së vjetër. I takon tërë shoqërisë sonë që ta përballojë këtë fatkeqësi të re duke u bashkuar rreth forcave politike progresive për të krijuar një shumicë popullore dhe elektorale, për ta mposhtur këtë të Keqe që ushqehet vazhdimisht nga gangsterizmi politik dhe qeverisës.
24 Prill 2008