E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mungojnë të pandehurit, shtyhet procesi për dosjen “Kashari”



“Kashari”
Seanca e parë gjyqësore ndaj 10 të akuzuarve për “abuzime me pronat” është shtyrë për shkak të mungesës se katër prej të pandehurve, të cilët gjykohen në gjendje të lirë. Dje, në Gjykatën e rrethit të Tiranës nisi shqyrtimi i dosjes “Kashari” me 10 të pandehur, katër prej të cilëve hetohen në gjendje të lirë, ndërsa të tjerët nën masën “arrest në burg”. Të pandehurit e kësaj çështjeje janë Alfred Sulaj, 33 vjeç, ish-kryetar i komunës Kashar; Naim Karaj, 45 vjeç dhe Faik Fejza, 56 vjeç, ish-kryetarët e kësaj komune, përkatësisht për periudhën 2000-2003 dhe 2003-2007; Islam Shera, 65 vjeç, ish-kryeplak i komunës; Shefqet Alikaj, 51 vjeç, përgjegjësi i zyrës së Kadastrës, Ismail Sulaj, 42 vjeç; Xhevahir Hyka, 43 vjeç, banues në Kashar; si dhe Bardhyl Kamberi, Ismail Bakalli dhe Ruhi Valiasi. Të 10 personat akuzohen për "korrupsion pasiv nga të zgjedhurit vendorë", "shpërdorim detyre", "falsifikim të dokumenteve" dhe "mashtrim në bashkëpunim". Dyshohet se të gjithë këta persona, në bashkëpunim me njëri -tjetrin, kanë falsifikuar dokumentet e ndarjes së tokës, duke pajisur me vërtetim pronësie persona të ndryshëm, të cilët nuk kanë qenë banorë të komunës Kashar. Një veprim i tillë dyshohet se është kryer kundrejt përfitimeve të paligjshme të të akuzuarve. Madje, sipas hetimeve, personat që kanë përfituar padrejtësisht tokë rezultojnë të afërm, familjarë ose miq të të arrestuarve të operacionit "Kashari 2”.

26 Qershor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›