Përhapet virusi i rrezikshëm, infektohen edhe dy persona në Berat
BERAT – Epidemia e shkaktuar nga përdorimi i ujit të pijshëm në Poliçan, është shtrirë edhe në qytetin e Beratit. Burimet zyrtare të Institutit të Shëndetit Publik në këtë rreth bëjnë të ditur se janë shfaqur dy raste personash të infektuar me virusin që preku 78 banorët e Poliçanit. Një fakt i tillë është konfirmuar edhe nga drejtor i Shëndetit Publik në Ministrinë e Shëndetësisë, Gazmend Bejtja, i cili deklaroi se dy ditë më parë janë shtruar në spitalin e Beratit dy të moshuar, të cilët kanë kanë shfaqur probleme jo të natyrës infektive, por të rënduar nga episodi (virusi) i gastro enteritit. Pikërisht ky virus është konstatuar se ka prekur qytetarët e Poliçanit, duke hedhur poshtë pretendimet për ekzistencën e një dizanterie klasike.
Përhapja
Pas Poliçanit, shënohen edhe rastet e para të personave të prekur me virusin e rrezikshëm në qytetin e Beratit. I ashtuquajturi virusi gastro-enteriti mendohet të jetë përcjellë përmes pacientëve të infektuar që u trajtuan në Spitalin Rajonal të Beratit. Burimet zyrtare të Ministrisë së Shëndetësisë bënë të ditur se dy të moshuar ndodhen në gjendje të rëndë shëndetësore, pasi përmbajnë të njëjtin virus që kanë edhe 78 pacientët nga Poliçani. “Në ndonjë rast, pacienti është infektuar nga kontakti i ngushtë me familjen", - deklaroi dje Gazmend Bejtja, drejtor i Shëndetit Publik. Menjëherë ka nisur trajtimi i tyre dhe po merren masa që ky virus të mos përhapet më tej.
Analizat
Ministria e Shëndetësisë përcakton shkaqet e sëmundjes së 78 pacientëve të shtruar në spitalin e Poliçanit dhe Beratit. Në bazë të analizave të kryera rezulton se pacientët janë prekur nga një “gastro-enterit” i rëndë, i cili është shkaktuar nga uji i pijshëm. Drejtori i Shëndetit Publik në Ministrinë e Shëndetësisë, Gazmend Bejtja, u shpreh se nga hetimi epidemiologjik dhe analizat e kryera, rezulton se pacientët nga Poliçani nuk janë prekur nga një dizanteri klasike, por nga gastro-enterit i rëndë. Bejtja, theksoi se nga hetimi epidemiologjik rezulton se mundësitë më të mëdha janë për një shpërthim të shigelozës me natyrë hidrike, ku vektor ka qenë ujësjellësi i Poliçanit. Në këto kushte, banorët janë të detyruar të mos konsumojnë ujin e pijshëm deri në një afat të ri. Ndërkohë që, shenjta e shfaqura tek pacientët janë diarre, temperaturë e lartë dhimbje koke, dhimbje trupi dhe në disa raste të vjella.
Në qytetet e Poliçanit dhe Beratit tashmë ekziston frika e përhapjes së një epidemie në shkallë të gjerë. Kjo favorizohet edhe nga temperaturat e larta që kanë përfshirë vendin tonë gjatë ditëve të fundit. Tre ditë më parë shefi i Sektorit të Epidemiologjisë, në Institutin e Shëndetin Publik në Tiranë, Dritan Ulqinaku, gjatë një interviste të dhënë për gazetën, deklaroi se ndjekja e situatës nga specialistët do të vazhdojë për rreth 1 muaj. Ai u shpreh se nuk flitet për karantinë, pasi asnjë person dhe asnjë nga lagjet e këtij qyteti nuk është dhe nuk mund të futet në karantinë. Kryebashkiaku i Poliçanit Adriatik Zotkaj ka deklaruar disa ditë më parë se duhet të ndiqen penalisht të gjithë përgjegjësit që sollën këtë situatë në qytet, pasi specialistët përkatës nuk kanë kryer detyrën e tyre funksionale të bërjes së analizave të ujit të pijshëm.
26 Qershor 2008