E Diel, 1 Nëntor 2026

Evazioni fiskal, ndëshkohen 50 biznese të mëdha



FIER - Rreth 50 subjekte të biznesit të madh janë ndëshkuar gjatë muajit qershor nga Policia Tatimore, pasi nuk kanë shlyer faturat tatimore. Shefi i Policisë Tatimore në Fier, Agron Selimaj, tha se "subjektet e ndëshkuara nuk kanë shlyer faturat tatimore, TVSH, kontributet shëndetësore e shoqërore, kanë fshehur numrin e fuqisë punëtore, si dhe kanë kryer aktivitet të palicencuar". Sipas tij, nga kontrollet e vazhdueshme u identifikuan dhe bllokuan 10 subjekte që nuk ishin regjistruar në Qendrën Kombëtare të Regjistrimit të Biznesit. "Procedura e bllokimit të aktivitetit u zbatua edhe për 20 subjekte të tjera, të cilat nuk kishin shlyer detyrimet tatimore pranë Drejtorisë së Tatim-Taksave, ndërkohë që janë ekzekutuar 19 urdhra sekuestro ndaj subjekteve debitore", theksoi Selimaj. Një tjetër objektiv i kontrolleve të tatimorëve, vijoi ai, ka qenë dhe disiplinimi i bizneseve të transportit të mallrave. Sipas Selimajt, këto subjekte duhet të pajisen me faturën tatimore të mallit që qarkullojnë ."Ne sekuestruam 13 tonë skrap ( hekurishte ) të një firme nga qyteti i Elbasanit dhe bllokuam aktivitetin e entit shitës të këtij malli, pasi ishte pa licencë", u shpreh Selimaj Ai deklaroi se goditja e evazionit fiskal, informalitetit dhe deficitit buxhetor, shkaktuar nga subjektet e biznesit të madh e të vogël do të jetë një program i vazhdueshëm i punës së tatimorëve.

26 Qershor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›