E Hënë, 2 Nëntor 2026

Aksionet shtetërore te strategjikët, si do të bëhet privatizimi dhe kush përfiton



Ervin Koçi

Një grup ndërmarrjesh strategjike si AMC-ja, ARMO, Albtelekom-i dhe OSSH-ja, të cilat janë privatizuar në pjesën më të madhe të aksioneve të tyre, janë tashmë në listë edhe për privatizimin e pjesës shtetërore të aksioneve. Do të jenë pikërisht këto katër ndërmarrje gjigante, të cilat do të çelin të parat procesin e privatizimit edhe të asaj pak pjese të mbetur nga shteti në këto kompani. Në lidhje me procedurat e privatizimit, që tashmë kanë nisur të vihen në zbatim nga ana e Ministrisë së Ekonomisë, shumëkush nuk është në djeni se si do të zhvillohet ky privatizim. Gazeta “Albania” është munduar që të bëjë transparente një pjesë të procedurave teknike se si do të zhvillohet procesi i privatizimit të aksioneve shtetërore në këto kompani, duke u bazuar në materialet e përgatitura nga Ministria e Ekonomisë. Ky proces konsiderohet i rëndësishëm dhe kërkon transparencën e duhur dhe për faktin se në të janë të interesuar edhe punonjësit e këtyre kompanive, si dhe pronarët e truallit në të cilat janë ngritur dhe zhvilojnë aktivitetin ato, të cilët presin kompensim nga shteti apo bashkangjitjen në procesin e privatizimit. Kujtojmë se privatizimi i aksioneve shtetërore të këtyre kompanive strategjike është bërë në bazë të vendimit më të fundit të qeverisë, datë 22 tetor 2008, si dhe me kërkesë të kryeministrit Sali Berisha, “Për privatizimin e të gjitha aksioneve shtetërore të mbetura te kompanitë e mëdha strategjike”.

Procesi i privatizimit

Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës ka përgatitur të gjitha procedurat që bëjnë të mundur shitjen e aksioneve shtetërore të katër kompanive strategjike, duke marrë shkas nga vendimi i fundit i qeverisë, datë 22 tetor. Ato janë AMC, Albtelekom, ARMO dhe OSSH, që tashmë u janë shitur në pjesën më të madhe të aksioneve të tyre investitorëve strategjikë. Sipas të dhënave të detajuara të marra nga Ministria e Ekonomisë, mësohet se, “procesi i shitjes së aksioneve shtetërore do të jetë i organizuar për secilën kompani si një ankand publik ndërkombëtar me një fazë (Ankandi)”. Për të arritur rezultatet pozitive, Ministria e Ekonomisë ka caktuar kompani të veçanta ndërkombëtare audituese dhe vlerësuese me qëllim që ankandet të jenë sa më transparente. Kështu psh. gazeta “Albania” ka mësuar se “në procesin e privatizimit të aksioneve të mbetura shtetërore të AMC-së, e cila do të jetë edhe e para në radhën e privatizimeve, si kompani e përzgjedhur është caktuar ‘Zagrebacka Banka d.d., UniCredit Markets & Investment Banking’, si konsulente e vetme shitjesh në proces”. Gjithashtu mësohet se, “shprehja e interesit nga cilido i interesuar për ankandet e privatizimeve duhet të paraqitet me "ekspres mail" në një zarf të vulosur dhe e-mail, me të shkruar mbi zarf, jo më vonë se 20 nëntori 2008, me një kopje për konsulentin”. Mbas marrjes së shprehjes së interesit, METE do të parakualifikojë ofertuesit potencialë për pjesëmarrjen në ankand, duke u nisur nga aftësia për të financuar blerjen e paketave përkatëse.

Përfitimi për ish-pronarët

Një pjesë e ish-pronarëve do të bëhen aksionerë në veprat më të rëndësishme në Shqipëri. Kjo është mënyra që ka zgjedhur qeveria për të kompensuar ish-pronarët, duke u dhënë pjesë në kompanitë strategjike. Këshilli i Ministrave vendosi që pas privatizimit të kompanive AMC, Albtelekom, ARMO, OSSH, një pjesë të aksioneve të zotëruara nga shteti t’i përdorë në formë kompensimi për pronarët e truallit ku janë ndërtuar godinat e shoqërive në fjalë.

Përfitimet për ish-punonjësit

Pritet që një pjesë e tortës së aksioneve shtetërore të kompanive strategjike t’i ofrohen edhe punonjësve të këtyre kompanive. Sipas ligjit “Për privatizimin e shoqërive strategjike”, 85 për qind e aksioneve të shoqërisë AMC u janë shitur investitorëve strategjikë, 2.4 për qind do t’u jepen pronarëve të truallit dhe punonjësve, ndërsa 12.5 për qind parashikohet të shiten nëpërmjet ankandit. Sipas burimeve nga Ministria e Ekonomisë, ende nuk është bërë e qartë se në ç’raport do të ndahen aksionet midis pronarëve të truallit dhe punonjësve. Kjo do të përcaktohet mbi bazën e një përllogaritjeje që pritet të bëhet nga Ministria e Financave.

Privatizimi sipas kompanive

Përsa i përket “Albtelekomit”, 76 për qind u janë shitur investitorëve strategjikë, 3 për qind do t’i jepen Postës Shqiptare, të cilat mbeten përsëri aksione shtetërore dhe 3.12 për qind parashikohet t’i jepen punonjësve. Nuk bëhet e ditur pjesa që i përket pronarëve të truallit, pasi është në procedurë përllogaritjeje. Sipas Ligjit Nr. 8810, datë 17.05.2001, "Për përcaktimin e formës dhe të strukturës së formulës së privatizimit të shoqërisë anonime "Albtelekom", aksionet që mbeten pas transferimit të paketave të mësipërme, do të transferohen nëpërmjet ofertës publike ose ankandit, sipas akteve ligjore në fuqi. Për shoqëritë ARMO dhe OSSH, deri tani bëhet e ditur vetëm përqindja e blerë nga kompanitë privatizuese, pasi pjesa që do t’i ofrohet pronarëve të truallit dhe punonjësve është në përllogaritje e sipër. Konkretisht, kompania çeke “CEZ” ka blerë 76 për qind të aksioneve të OSSH-së kundrejt një vlere prej 102 milionë eurove. Ndërsa 85 për qind e aksioneve të ARMO-s i janë shitur konsorciumit “AMRA OIL”, me një vlerë 130 milionë euro. Përsa i përket privatizimit të INSIG-ut, procedurat për të janë duke u përgatitur nga Ministria e Financave.

Aksionet e ndara sipas kompanive

1. AMC sh.a
85 % Investitorët strategjikë. (Cosmote group)

2,4 % Punonjësit dhe ish-pronarët e truallit

12,6 % Do të shiten me ankand.

2. Albtelecom sh.a

76 % Investitorët strategjikë. (Çalik Energy)

3 % Posta Shqiptare.

3,12 % Punonjësit.

? % Ish-pronarët e truallit. (Kjo paketë ështe në procedurë llogaritjeje)

3. ARMO sh.a

85 % Investitorët strategjikë. (AMRA OIL)

? % punonjësit dhe ish-pronarët e truallit. (Përcaktohet pas llogaritjes nga Ministria e Financave)

4. OSSH sh.a

76 % Investitorët strategjikë. (CEZ)

? % Ish-pronarët dhe punonjësit. (Përcaktohet pas llogaritjes nga Ministria e Financave)

8 Nentor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›