E Hënë, 2 Nëntor 2026

Borxhet e administratës, OSSH-ja detyrohet të marrë kredi për shlyerjen e importit

Marrja e kredisë është domosdoshmëri për sektorin e shpërndarjes Gjendja jo e mirë financiare, e krijuar nga mosshlyerja e detyrimeve

Ervin Koçi

Operatori i Sistemit të Shpërndarjes ka nisur procedurat për marrjen e një kredie për të shlyer likuiditetet e importit të energjisë. Burime zyrtare pranë OSSH-së shpjegojnë se kjo kredi nuk do të ishte e nevojshme në rast se institucionet shtetërore do të kishin paguar detyrimet që kanë për energjinë e konsumuar. Por, për shkak të borxhit të tyre, OSSH-ja gjendet në një situatë jo të mirë financiare, që e bën të domosdoshme marrjen e kredisë në bankat private. Sipas të dhënave zyrtare të OSSH-së, vetëm ndërmarrjet e ujësjellësave kanë një borxh prej 13 milionë euro për periudhën 2007-2008. Burime zyrtare pranë Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes shpjegojnë se, “ndërsa janë rritur ndjeshëm arkëtimet tek konsumatorët familjarë dhe bizneset, probleme po vërehen me institucionet shtetërore”. Nga të dhënat rezulton se niveli i arkëtimeve te familjarët ka arritur në 82 për qind, te bizneset në 98 për qind, ndërsa niveli i humbjeve ka rënë në 28 për qind. Drejtuesit e OSSH-së shpjegojnë se “është paradoks që familjarëve dhe privatëve t’u kërkohet që të paguajnë dhe u ndërpritet energjia, ndërkohë që shteti vetë nuk shlyen detyrimet dhe rezulton debitori më problematik pranë kompanisë që ndodhet në prag të privatizimit”.

Konsumatorët borxhlinj

Borxhi që konsumatorët e ndryshëm i kanë KESH-it llogaritet të jetë mbi 370 milionë euro. Tashmë që procesi i privatizimit të sektorit të Shpërndarjes ka përfunduar fazën e parë, janë bërë publike edhe shifrat e borxheve si dhe kredive që ka marrë OSSH-ja. Sipas ministrit të Ekonomisë, Genc Ruli, janë rreth 241 milionë euro kredi afatgjata që ka marrë KESH-i për të bërë investime për rrjetin e shpërndarjes, nga të cilat 140 milionë euro i përkasin OST-së dhe si pasojë do t'i mbarten investitorit strategjik. Duke sqaruar këto shifra, Ruli bëri të ditur para disa kohësh se të gjitha këto borxhe janë të konsumatorëve privatë, pra do të jetë vetë investitori, i cili do të operojë për mbledhjen e tyre. Rezulton se për çdo konsumator janë përcaktuar vlerat e sakta të borxhit si dhe afatet kohore, gjatë të cilave nuk janë shlyer detyrimet e prapambetura të energjisë elektrike.

Kreditë e KESH-it

Janë mbi 95 milionë e 700 mijë euro kredi nga 7 banka private me terma tregtare, të cilat janë marrë deri tani nga KESH-i dhe që duhet të kthehen në afatin e caktuar. Nga ana tjetër, edhe Ministria e Financës i ka dhënë KESH-it dy kredi gjatë këtij viti, përkatësisht 2 miliardë lekë dhe 15 milionë euro, të cilave u ka kaluar afati i shlyerjes, në një kohë që Koorporata nuk ka mundur t’i paguajë dot në afat. Këto kredi qeveritare janë dhënë me terma të buta, por pagesa e energjisë së importuar me çmime tepër të larta si në vitin 2007, ashtu edhe në vitin 2008, kanë krijuar vështirësi të pakapërcyeshme për financat e KESH-it. Këto u shtohen vështirësive të zakonshme financiare të Koorporatës, të shkaktuara nga vjedhjet dhe humbjet teknike, si dhe nga mospagimi i detyrimeve prej konsumatorëve. Kontrata e fundit për dhënien e një kredie midis KESH-it dhe “Raiffeisen Bank” është nënshkruar më 27 gusht 2008 në Tiranë dhe do të jepet në ekuivalentin në lekë të 40 milionë eurove. Komisioni i garancisë bankare ishte në masën 1.3 për qind të shumës së huasë dhe interesi është i barabartë me interesin e bonove 3-mujore të thesarit plus 0.5 për qind.

Privatizimi i OSSH-së, “CEZ” do të shlyejë borxhet afatgjata të kompanisë

Kompania çeke “CEZ” pranoi kushtet e vendosura nga qeveria shqiptare për pagimin e borxheve afatgjata të Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes. Bëhet fjalë për një shumë prej 15.6 miliardë lekësh që është marrë borxh nga qeveria në formën e kredive kryesisht për investime në rrjetin shpërndarës të energjisë, të cilin tashmë duhet ta grumbullojë “CEZ”. Burime zyrtare nga Ministria e Ekonomisë bëjnë të ditur se kompania “CEZ” ka pranuar edhe kushtin tjetër të qeverisë, atë të reduktimit të humbjeve në 32 për qind deri në fund të këtij viti dhe në 15 për qind deri në fund të vitit 2014. IFC-ja, kompania konsulente e qeverisë për privatizimin e OSSH-së e konsideroi çmimin e ofruar nga kompania “CEZ” si një ofertë që ka kaluar parashikimet. Vlera e borxhit sipas bilancit të audituar nga OSSH për vitin 2007 është 15.6 miliardë lekë. Investimet minimale që priten të gjenerohen nga ky transaksion vlerësohen të jenë rreth 200 milionë euro gjatë 5 viteve të para të operimit dhe duke u bazuar në targetat e humbjes në shpërndarje, të cilat “CEZ”-i në ofertën teknike të tyre pranoi të arrijë.

8 Nentor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›