Aksionet tek "Elbasani", në hetim pronat e Arben Lazes
Trazhgim Sokolaj
Prokuroria e Krimeve të Rënda fillon verifikimin e pasurive të Presidentit të klubit të futbollit Elbasani, pas arrestimit të tij me akuzën e trafikut të drogës. Lajmi u konfirmua nga burime zyrtare të organit të akuzës, sipas të cilave, shkresat zyrtare për verifikime, u janë nisur bankave të nivelit të dytë, sektorit të tatim-taksave dhe hipotekave. Të gjitha këtyre institucioneve u është kërkuar informacion nga Prokuroria, për të evidentuar aktivitetet e biznesit të Arben Lazes, llogaritë dhe depozitat e tij bankare si dhe pronat e paluajtshme. Një shkresë e tillë për verifikimin e pasurive, mësohet se u është dërguar edhe autoriteteve përkatëse të sportit, me qëllim verifikimin e aksioneve që Arben Laze zotëron pranë klubit të futbollit Elbasani. Lajmi konfirmohet nga burime zyrtare të Prokurorisë, sipas të cilave verifikimet e pronave dhe pasurive të Arben Lazes po bëhen për të sqaruar burimin e tyre. Duke e konsideruar aktivitetin e trafikut të drogës si një veprimtari fitimprurëse, Prokuroria e Krimeve të Rënda bazuar edhe në ndryshimet e viteve të fundit në legjislacion, kryen edhe verifikimin e pasurisë së personave të arrestuar. Procedura përfundon me sekuestrimin e pasurive në rast se provohet se zotëruesi i tyre i ka vendosur ato me anë të fitimeve në trafikun e drogës, çka konsiderohet burim financiar i paligjshëm. Organi i akuzës tha se ende nuk ka marrë përgjigje për pasuritë e Lazes, ndërsa pritet që një tablo e qartë për këtë të krijohet në ditët e para të vitit të ardhshëm, pasi institucionet që kanë marrë kërkesën, të bëjnë verifikimet e tyre. Arben Laze njihet publikisht si biznesmen dhe sponsor i ekipit të futbollit të qytetit të Elbasanit. Prokuroria po verifikon burimin financiar pas të dhënave paraprake, sipas të cilave i dyshuari zotëron disa prona të konsiderueshme.
Hetimi për trafikun
Gjatë kohës që Arben Laze dhe tre persona të tjerë të arrestuar bashkë me të, po qëndrojnë në ambientet e paraburgimit në Tiranë, Prokuroria po vijon procedurat e hetimit për akuzën trafik narkotikësh në formën e grupit të strukturuar kriminal. Gjatë këtyre ditëve mësohet se po zbardhen transkriptet e bisedave të përgjuara mes Arben Laze, vëllait të tij Fationit si dhe dy të arrestuarve të tjerë, Arben Prifti nga Fieri dhe Shkëlqim Hyzmo nga Lushnja. Burimet nga hetimi, konfirmuan se Laboratori Qendror Kriminalistik është duke realizuar së fundi ekzaminimin shkencor mbi masën e pluhurit prej 1043 gramë të dyshuar si heroinë, e cila u sekuestrua në makinën e Shkëlqim Hyzmos në Lushnje, pasi ky i fundit e kishte blerë atë nga vëllezërit Laze. Nga ana tjetër, katër të pandehurit dhanë deklarimet e tyre në gjykatë, ku tre prej tyre Arben Laze, Arben Prifti dhe Shkëlqim Hyzmo mohuan akuzën ndërsa Fation Laze, vëllai i Presidentit të Elbasanit, pranoi krimin duke përjashtuar nga përgjegjësia biznesmenin e njohur si sponsor i ekipit të Elbasanit në sportin e futbollit. Prokuroria i ka hedhur poshtë deklarimet e të pandehurve, duke pretenduar se biznesmeni Arben Laze dhe Arben Prifti, në bazë të hetimeve rezultojnë të implikuarit kryesorë në dosjen e koduar me emrin "Mesfushori". Sipas akuzës, Arben Prifti e ka porositur drogën tek Arben Laze, ndërsa ky i fundit ka përdorur vëllain e tij për të dorëzuar lëndën narkotike, e cila është marrë në dorëzim nga Shkëlqim Hyzmo, i cili ishte porositur nga Arben Prifti për të trafikuar heroinën. Një tentativë e tillë dështoi pasi katër të akuzuarit ishin në përgjim dhe Prokuroria ishte informuar për veprimet e tyre, duke bllokuar drogën menjëherë pas dorëzimit të saj.