Arben Laze, në qeli me fanellën e Elbasanit
Fatos Mahmutaj
Vetëm dy stema të verdha në gjoks dhe tre vija paralele në krah, me të njëjtën ngjyrë, prishin blunë e uniformës sportive të Arben Lazes, kreut të futbollit të Elbasanit, i burgosur për trafik narkotikësh. Në anën e majtë, mes të verdhës dhe blusë lexohej "1913", viti i themelimit të ekipit të Elbasanit, ndërsa stema e anës tjetër është ajo e bashkisë së qytetit. Sipër uniformës sportive, presidenti i burgosur për trafik droge, mbante veshur një xhup meshini, ndërsa në këmbë atlete sportive, ngjyrë kafe, për të cilat gardianët ishin treguar të kujdesshëm t'i hiqnin lidhëset. Biznesmenin 40-vjeçar Arben Laze, e takuam në qelitë ku të paraburgosurit takojnë avokatët. Ndodhej aty bashkë me tre të bashkakuzuarit me të, Shkëlqim Hyzmo, Arben Prifti dhe vëllain e vet Fation Laze. Fationi, njëlloj si vëllai më i madh, mbante gjithashtu veshur uniformën e skuadrës së Elbasanit. Vetëm pak minuta më parë kishte takuar avokatin e vet, me të cilin kishte diskutuar mbrojtjen dhe ankimin që do paraqiste në Gjykatën e Apelit kundër mbajtjes së tij në burg.
Presidenti Laze
Gjatë gjithë kohës, i dyshuari Arben Laze tymoste njëra pas tjetrës cigare, ndërsa fliste me dëshirë për futbollin e qytetit të tij. Për rreth 30 minuta, aq sa zgjati takimi me të, Laze tregoi për strategjitë e tij për të nxjerrë në krye të kampionatit skuadrën që sponsorizon prej disa vitesh. Ndërsa për akuzën e ngritur ndaj tij, biznesmeni Laze nuk preferoi të fliste, duke pretenduar se ishte i pafajshëm dhe se nuk kishte asnjë lidhje me çfarë akuzohej. Ai tregoi se kishte mbërritur të premten në qelitë e paraburgimit 313. Aty ishte transferuar nga qelitë e izolimit të Drejtorisë së Policisë së kryeqytetit, pasi ishte arrestuar më 23 dhjetor teksa kthehej nga Maqedonia për në qytetin e tij. Ndërsa duke folur për momentin arrestimit, Laze tha se nuk ishte e nevojshme që forcat policore ta prangosnin në mënyrë të dhunshme, pasi sipas tij, ai nuk kishte bërë rezistencë. Po kështu ai pohoi se kishte marrë nga familjarët pak ushqime dhe veshje, për shkak të ftohtit të stinës.
Festat në burg
Ndërkohë atmosfera festive e Vitit të Ri, kishte nisur të ndihej kudo në paraburgimet e kryeqytetit. Gjelat e detit të pjekur dhe ëmbëlsirat tradicionale kishin mbushur mëngjesin e djeshëm dy paraburgimet e kryeqytetit, atë 313 dhe 302. Familjarët e të arrestuarve mbanin radhë të gjata paraditen e djeshme, në hyrje të burgjeve për t'iu dërguar njerëzve të tyre të burgosur ushqimet e festave në qeli. Ambientet e përbashkëta të burgjeve ishin zbukuruar me pemë të Vitit të Ri, ndërsa nëpër mure ishin ekspozuar punime të të burgosurve. Administrata dhe sektori i edukimit të paraburgimit 302 pohuan se më 31 dhjetor do të organizojnë një ceremoni festive në mjediset e bibliotekës së burgut. Aty janë ftuar sportistë dhe humoristë kryeqytetas, ndërsa më pas atmosfera festive pritet të përhapet në të gjitha qelitë, ku do të shkojnë organizatorët për të uruar të burgosurit.