E Diel, 1 Nëntor 2026

Aksioni “Furtuna”, tre në pranga, u sekuestrohen 23 doza heroinë

10/01/2009  I shisnin në shkollat e qytetit të Beratit

Sektori i antidrogës në drejtorinë e policisë së Qarkut të Beratit ka përfunduar me sukses paraditen e djeshme aksionin e koduar “Furtuna”, që është finalizuar me arrestimin e tre personave dhe sekuestrimin e 23 dozave heroinë. Burime të komisariatit të policisë së Beratit bëjnë me dije se paraditen e djeshme u bë arrestimi i 27-vjeçarit Romeo Këmbaci, lindur dhe banues në qytetin e Durrësit, 24-vjeçarit Aurel Etemaj, lindur dhe banues në Uznovë të Beratit, si dhe 25-vjeçarit Fation Hodo, po banor i qytetit të Beratit. Arrestimi i tyre u bë pasi në bazë të informacioneve të mara nga seksioni i luftës kundër narkotikëve në drejtorinë e policisë së Qarkut të Beratit këta shtetas në bashkëpunim me njëri-tjetrin prej disa kohësh kryenin aktivitetin e shitjes së lëndëve narkotike të llojit heroinë në shkollat e qytetit të Beratit. Gjatë operacionit “Furtuna” u bë e mundur kapja në flagrancë e këtyre shtetasve, ndërkohë që në banesën e Aurel Etemaj në Uznovë u sekuestruan 23 doza heroinë e bërë gati për shitje, me peshë të përgjithshme 10 gramë. Sipas burimeve të policisë, materialet e kësaj çështje iu dorëzuan prokurorisë së Beratit për veprën penale të “prodhimit dhe shitjes së lëndëve narkotike në bashkëpunim” si dhe “përshtatje të ambienteve për përdorim drogë”.

S. Gozhina

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›