E Shtunë, 31 Tetor 2026

Qazim Dervishi, si u “shua” sportisti i gjithanshëm

11/01/2009  I pari që solli basketbollin, atleti, futbollisti dhe i pari gjyqtar ndërkombëtar i futbollit në vend

Në çdo fushë të jetës historia njeh dhe përjetëson ata që i përhapën dhe që i zhvilluan për herë të parë fushat e ndryshme të shkencës, artit kulturës dhe sportit. I tillë ishte edhe Qazim Dervishi. Ky njeri ishte një talent i rrallë dhe i gjithanshëm, një mësues, edukator dhe një ushtrues i pashoq në shumë lloje sporti. Analistët dhe historianët e fushës së sportit ia njohin Qazim Dervishit meritën e sjelljes për herë të parë në Shkodër më 1929 dhe në Gjirokastër më 1946 të lojës së bukur të basketbollit. Sot pallati i sportit në Shkodër mban emrin e tij, megjithëse në të nuk gjendet e ekspozuar as një foto e madhe e tij ose një bust për të. Qazim Dervishi krahas ushtrimit me sukses të atletikës, basketbollit, futbollit, hendbollit dhe bejsbollit ushtroi gjithashtu edhe detyrë e gjyqtarit të basketbollit, të futbollit dhe të drejtuesit të sportit në përgjithësi. Ishte i pari që ngriti terrenet sportive në konviktin “Malet tona”. Në shkollën e Perashit, ku ai punoi, ishte projektues dhe zbatues i disa projekteve, duke u bërë njëkohësisht edhe trajnues për shumë lloje sportesh, jo vetëm për nxënësit e shkollave ku ai punoi, por edhe për të rinjtë e qytetit, që frekuentonin sportin pasdreke, në ato kënde sportive sa funksionale aq edhe moderne për kohën. Për këto merita të tij ai u dekorua nga Presidenti i Republikës në vitin 1993 me titullin "Mësues i Popullit", por fatkeqësisht dhe padrejtësisht atij nuk iu akordua asnjëherë një titull në fushën e sportit, për të cilin ai nuk kurseu asgjë. Madje, një figure të tillë me emër në shkallë vendi në fushën e sportit jo vetëm që iu mohua kjo meritë, por u arrit gjer aty sa dhe u retushuan fotot e tij kur prezantoheshin në ekspozita të ndryshueshme. Paradoksale kur shikon ekipin e futbollit “Vllaznia” me 10 futbollistë, pasi i 11-ti, Qazim Dervishi, me urdhër nga lart u retushua.

Jeta e Qazim Dervishit

Ai lindi në Shkodër më 1908. Në vitin 1924 filloi studimet në shkollën teknike “Harri Fulltz” në Tiranë. Në vitin 1930 emërohet të punojë në Shkodër, kujdestar i konviktit “Malet tona”. Në vitin 1939 transferohet si mësues në Pogradec dhe rikthehet në Shkodër në vitin 1942. Pas tre vjetësh ai emërohet kryetar i shoqërisë sportive “Vllaznia”. Në vitet 1946-1947 emërohet në Gjirokastër, ku përhapi për herë të parë sportin e basketbollit në këtë qytet. Gjatë vitit 1947 ishte instruktor i edukimit fizik në hekurudhën Peqin–Kavajë, ku dhe arrestohet, pasi sistemi komunist nuk kishte harruar faktin se ai kishte mbaruar shkollën “Harri Fulc” dhe që ishte një simpatizant i Ahmet Zogut. Pas 22 muajsh hetuesi, Qazimi dënohet me 18 vjet burg, por lirohet në vitin 1954 në gjendje të rëndë shëndetësore, pasi ishte i paralizuar. Në vitin 1967, me shumë mund dhe sakrifica arrin të sigurojë një gjysmë pensioni falë miqve të tij gjirokastrite, që dëshmuan se ai kishte punuar si mësues në këtë qytet. Në vitin 1993 nderohet me titullin "Mësues i Popullit". Vdiq në janar të vitit 1994 në moshën 76-vjeçare.

Për të madhin Qazim Dervishi regjimi komunist kishte rezervuar vetëm punë të rënda krahu, të cilat ai nuk mund t’i përballonte, pasi kishte dalë gjysmë i vdekur nga burgu më 1954. Deri më 1990 gjithçka do ta mbulonte pluhuri i harresës. Me dashje dhe me qëllim, mbi të do të ushtrohej lufta e klasave dhe e diktaturës së proletariatit.

Aktivitetet sportive

Dervishi adhuronte sportin, preku gjithë fushat e tij

Sapo shkoi për studime në Tiranë, ai u bë pjesë e aktiviteteve sportive që ushtroheshin në këtë shkollë, madje duke qenë ndër më të dalluarit. Ai ushtroi dhe dha kontributin e tij në sportin e atletikës, të basketbollit, futbollit etj. Madje, në një intervistë të Mjeshtrit Irfan Tërshana dhënë familjarëve të Qazimit, mësohet se ai ka qenë një nga sportistët më të mirë të shkollës teknike në bejsboll.

Atletika

Karriera e tij në atletikë e ka zanafillën sapo ai fillon studimet në shkollën teknike “Harri Fullc”. Nga Viti 1924-1928 ai ka marrë disa çmime të para dhe të dyta në lojërat e përvitshme olimpike që janë zhvilluar në ato vite në Tiranë. Spikati në disiplinën e kërcimit së larti, së gjati dhe trehapësh, duke dalë kampion kombëtar.

Në vitin 1929 i bëhet kërkesë që të garojë për ngjyrat e ekipit të qytetit të lindjes "Bashkimi shkodran" në kampionatin e parë zyrtar të atletikës në vendin tonë. Shkodranët u shpallën kampionë kombëtarë, duke pasur edhe ndihmën e madhe të Dervishit.

Futbolli

Megjithëse ishte një kampion i shumëfishtë në atletikë, ai spikati edhe si futbollist. Madje, nëndrejtori i shkollës teknike Williams B. Juillirat, e zgjodhi atë këshilltar të përhershëm të shkollës për futbollin, krahas Spiro Kristos për bejsbollin dhe Vangjel Qirios për basketbollin. Dervishi spikati për talentin e tij si sulmues i djathtë.

Në vitin 1929 thirret nga klubi i futbollit “Durrësi” për të luajtur një ndeshje ndërkombëtare kundër "Unione Spotivo di Bari " të Italisë, skuadër kjo e serisë A.

Për 10 vjet rresht, deri në vitin 1939, ai luan si lojtar formacioni rregullisht me “Vllazninë” e Shkodrës. Madje, në kampionatin e parë zyrtar të futbollit më 1930 ai është autor i golit të parë në këtë kampionat kundër klubit të Tiranës. Me emërimin e tij në Shkodër një rëndësi të madhe i kushtoi përhapjes së futbollit në moshat e reja.

Në këtë kuadër, më 1938 organizoi për herë të parë në Shkodër kampionatin lokal për shkollat fillore, ku spikatën talentet e futbollistëve të ardhshëm, si Muhamet Dibra, Pal Mirashi, Bahri Kavaja, Hamdi Bakalli, Xhevdet Shaqiri etj.

Basketbolli

Më 2 mars 1928 daton ndeshja e parë zyrtare e basketbollit në Shqipëri midis shkollës teknike dhe konviktit “Malet tona”. Për skuadrën e shkollës teknike kapiten i skuadrës ishte Qazim Dervishi. Ndeshja u fitua nga nxënësit e shkollës teknike me rezultatin 32-14.

Në vitin 1929 emërohet kujdestar i konviktit "Malet tona" në Shkodër. Edhe aty krahas detyrës së tij si kujdestar Dervishi i kushtoi një rëndësi të dorës së parë ushtrimit të sporteve. Pas një viti stërvitjeje u zhvillua më 27 qershor 1930 e para ndeshje zyrtare e basketbollit në Shkodër, midis konvikteve "Malet tona" të Shkodrës dhe "Naim Frashëri" të Tiranës, me përmasat reale të një fushe basketbolli dhe për herë të parë u ngulën shtyllat e koshave në këtë qytet. Qazim Dervishi ishte arbitri i kësaj ndeshjeje, e cila përfundoi në barazim. Në vitet 1933–1934 në shkollën fillore të Perashit, ku punonte, Qazim Dervishi (e vetmja shkollë mikse për kohen) fillon dhe luhet basketbolli për femra, por që nuk vazhdoi gjatë.

Karriera si gjyqtar

Pas vitit 1939 Qazimi merr një drejtim tjetër; atë të gjyqtarit dhe të drejtuesit të edukimit fizik. Në këtë vit ai mbaron një trajnim tremujor të kategorizimit për gjyqtar. Më 22 shkurt 1946 arbitron të parën ndeshje ndërkombëtare, atë midis përfaqësuesve të Shqipërisë dhe Malit të Zi, një fakt ky që iu mohua për rreth 50 vjet. Gjithashtu në ballkaniadën e vitit 1946, ku Shqipëria u shpall kampion Ballkani, Dervishi ishte i vetmi nga gjyqtarët shqiptarë i pranishëm në këtë aktivitet, duke gjykuar një ndeshje si kryesor, atë Jugosllavi-Bullgari (2-1) dhe si anësor takimin vendimtar për Shqipërinë në ndeshjen Shqipëri-Rumani (1-0). Po në këtë vit ai bën një kurs plotësues për drejtues fizkulture.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›