E Shtunë, 31 Tetor 2026

Drejtonte organizatë terroriste në Itali, kapet në Durrës

11/01/2009  Kladio Tola është prangosur dhe ekstraduar dje. Akuza dhe për trafik narkotikësh

Është kapur në Durrës një shtetas shqiptar, i cili është dënuar në Itali për akuzën e rëndë të drejtimit të një organizate terroriste. 32-vjeçari Kladio K.Tola është kapur në lagjen numër 14 në Durrës teksa darkonte në një lokal. Ai ka qenë i shoqëruar me të vëllanë në një tavolinë shokësh, ndërkohë që policia ka deklaruar se 32-vjeçari, i lindur në Shijak dhe banues në komunën e Xhafzotaj, ishte i kërkuar nga drejtësia italiane prej disa vjetësh.

Arrestimi

Kladio Tola është dënuar në Milano me vendim të formës së prerë me akuzën e trafikut të lëndëve narkotike si dhe të drejtimit të organizatës terroriste. Drejtësia italiane e ka shpallur fajtor 32-vjeçarin në vitin 2001 dhe që nga ky vit Tola ka lënë vendin fqinj për të jetuar në Durrës. Një javë më parë autoritetet italiane kanë lënë në dorë të prokurorisë shqiptare dosjen penale të këtij shtetasi dhe pikërisht në ditën kur prokuroria ka vendosur arrestimin e tij, policia e Durrësit ka ekzekutuar pak orë më pas këtë vendim. Burime policore thanë se Tola është mbajtur nën përgjim nga shërbimet e karabinierisë italiane lidhur me një rrjet trafiku të lëndëve narkotike nga Turqia në Shqipëri e që aty në Itali. Droga shpërndahej në pjesën veriore të Italisë, kryesisht në rrethinat e Milanos. Investigimet e autoriteteve të shtetit fqinj, me të cilin vendi ynë ka nënshkruar marrëveshjen e ekstradimit të personave të kërkuar nga drejtësitë e respektive, e kanë përgjuar për katër muaj. Zbardhja e tabulateve, si dhe arrestimi i disa shtetasve shqiptarë e italianë në Itali kanë implikuar edhe të riun nga Shijaku në trafikun e drogës dhe në krijimin e organizatës ilegale. Drejtësia italianë e ka cilësuar “organizatë terroriste”, por në bazë të dosjes së përcjellë edhe për prokurorinë shqiptare rezulton se Kladio Tola nuk ka kryer akte terroriste në vendin fqinj. Në Itali ai është dënuar me 7 vjet e 4 muaj burg dhe 32-vjeçari do të nisë të numërojë vuajtjen e dënimit që nga dita e djeshme. Vepra penale në ngarkim të tij parashikohet në nenet 283/a, 284/a/1 dhe 278/2/3 të Kodit Penal shqiptar. Ai është arrestuar në Shkozet dhe në mesditë është thënë se është ekstraduar për në Itali i shoqëruar nga dy agjentë italianë, të cilët kanë qenë në Durrës që ditën kur i kanë lënë drejtësisë shqiptare dosjen në ngarkim të shtetasit nga Xhafzotaj. Autoritetet shqiptare nuk kanë vënë në dyshim akuzën e ardhur nga drejtësia italiane, ndërkohë që Tola do të duhet të ripajtojë një avokat në përpjekje për të hedhur poshtë vendimin, i cili është zbardhur në Milano që në vitin 2001. Gjykata e Milanos në vendimin e saj nr. 8175/01 të datës 10.07.2001 e ka dënuar në mungesë, ndërkohë që ka shumë të ngjarë që 32-vjeçarit t’i mbetet vetëm të pranojë vuajtjen e dënimit. Policia e Durrësit ka pranuar se në operacionin për kapjen e shtetasit Kladio Tola kanë qenë efektiva specialë të Durrësit dhe Tiranës dhe se në kohën e prangosjes Tola nuk ka bërë rezistencë, por nga ana tjetër ai ka kundërshtuar mënyrën se si është arrestuar, duke u pohuar efektivave të policisë se nuk ka pasur asnjë dijeni se në vendin fqinj është akuzuar për drejtim të organizatës terroriste, aq më pak për vendimin e drejtësisë, që i ka hequr më shumë se 7 vjet liri.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›