E Diel, 1 Nëntor 2026

Municionet në Grizë të Patosit, një minë me sahat për banorët

11/01/2009  Drejtuesit vendorë pohojnë se nuk ka armatime, banorët e kundërshtojnë

Banorët e lagjes “Grizë” në zonën e Patosit jetojnë me frikën e plasjes së municioneve. Sipas banorëve, këto municione janë të depozituara në ish-magazinën e pularisë në periferi të lagjes së tyre. Banorët pohojnë se municionet u kujtojnë ngjarjet e dhimbshme të Gërdecit dhe Poliçanit. “Këto municione janë këtu qysh në vitin 1997, - thotë një banor i kësaj lagjeje, Ndriçim Griza. - Një pjesë i kanë hequr, por më pas puna u ndërpre dhe kështu një pjesë e tyre janë akoma këtu. Ne jetojmë me frikën e madhe të plasjes së tyre nga çasti në çast. Depoja me municione përmban tritol, predha dhe gjithçka tjetër të rrezikshme. Frika është shumë e madhe, sepse janë municione shumë të rënda dhe të rrezikshme. Ne kërkojmë që të hiqen sa më shpejt, se kudo se po vriten njerëz për shkak të këtyre municioneve.” Kryetari i lagjes, Fatmir Saliaj, shprehet se nuk ka asnjë informacion zyrtar për largimin e mbetjeve të municioneve, ndërsa pohon se prej një muaji e gjysmë ka ndaluar edhe aksioni i tërheqjes së municioneve nga depot e armatimeve të ngelura atje pas vitit 1997 dhe të vendosura në kufijtë e lagjes “Grizë” në Patos. “Që të jemi të qetë, ne duam një informacion për këto municione. Banorët kanë të drejtë të flenë të qetë, sepse janë familjarë, - thotë Saliaj. - Informacion deri tani nuk kemi marrë dhe banorët janë të shqetësuar.” Kryebashkiaku i Patosit, Bardhi Meli, është shprehur se ka informacion vetëm për largimin e këtyre municioneve, ndërsa pohon se nuk ka një njoftim zyrtar për përfundimin e këtij aksioni. Prefekti i Qarkut, Shahin Bejdaj, pohon se në depot e municionit në Grizë nuk ekzistojnë më mbetje municionesh. Burime nga brenda repartit kanë pohuar se ekzistojnë ende mbetje municionesh, por lloji dhe sasia e tyre është e papërcaktuar. Po këto burime pohuan se ende ka magazina të mbushura me municione, që presin largimin nga vendi i depozitimit. Tërheqja e tyre është ndaluar prej më shumë se 1 muaji. Pas vitit 1997 në depot e municionit në Grizë janë grumbulluar të gjitha llojet e mbetjeve të municioneve në Jug të vendit.

A. Damini

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›