E Shtunë, 31 Tetor 2026

Grinden për pronën, plagoset 33-vjeçari

11/01/2009  Në kërkim autori

Një grindje për shkaqe pronësie ka përfunduar me plagosjen e një 33-vjeçari, ndërkohë që policia është vënë në kërkim të autorit. Ngjarja ka ndodhur në fshatin Mbjeshovë të komunës së Sinjës në rrethin e Beratit paraditen e djeshme. Grindja e hershme për shkaqe pronësie midis dy bashkëfshatarëve ka shkuar deri në përdorimin e armëve të zjarrit, ku si pasojë ka ngelur i plagosur Hysni Sina, ndërkohë që autori ende nuk është identifikuar nga policia. Burime të komisariatit të policisë së Beratit bëjnë me dije se paraditen e djeshme janë marrë të dhënat për një konflikt mes pjesëtarëve të fisit Sina. Ekspertët e policisë kanë udhëtuar menjëherë drejt fshatit të largët, ku nga hetimet e para është mësuar se 33-vjeçari Sina kishte ngelur i plagosur me armë zjarri si pasojë e një konflikti për shkaqe pronësie. Sipas burimeve të policisë, Sina ishte grindur mëngjesin e djeshëm me disa të afërm të fisit për shkak të një prone, për të cilën pjesëtarët e fisit pretendonin se u përkiste atyre. Pas debateve të nisura më parë, dje në orët e para të mëngjesit konflikti ka arritur deri në përdorimin e forcës dhe armëve, ku si pasojë ka ngelur i plagosur 33-vjeçari. Ky i fundit është qëlluar me armë zjarri tip kallashnikov dhe ka mbërritur për ndihmë mjekësore në spitalin e Beratit. Ai ka marrë ndihmën e parë mjekësore për plagosjen në këmbën e majtë dhe sipas mjekëve ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Uniformat blu kanë shoqëruar menjëherë në komisariat vëllezërit Pajtim e Gentian Sina dhe babanë e tyre Sefret, të cilat janë duke u pyetur rreth ngjarjes. Sipas burimeve të policisë, po punohet për identifikimin dhe ndalimin e autorit.

S. Gozhina

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›