E Shtunë, 31 Tetor 2026

Armë dhe arsenal municionesh në fshatin Malinat

11/01/2009  Shoqërohen 2 shtetas

Ndërsa janë vënë në kërkim të një personi të akuzuar për plagosje, uniformat blu kanë bërë një sërë kontrollesh në banesa përreth zonës, ku sipas informacioneve të siguruara në rrugë operative dyshohej se banorët mbanin armë luftarake të fshehura. Nga kontrollet e ushtruara në dy banesa në fshatin Malinat të komunës së Velabishtit janë zbuluar një sasi municionesh luftarake dhe një armë gjahu pa leje. Burime të komisariatit të policisë së Beratit kanë bërë me dije se municioni dhe arma janë gjetur të fshehura në banesën e A. Pallarit, 18 vjeç, dhe H. Thuqi, 47 vjeç. Sipas policisë, në banesën e 18-vjeçarit Pallari u gjendën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale një armë gjahu, çifte, dhe 45 copë fishekë pistolete, ndërsa në banesën e 47-vjeçarit Thuqi u zbuluan dhe sekuestruan 680 fishekë automatiku mod. 56, 1440 copë fishekë pistolete “TT” , një granatë ofensive dhe një ndezës. Menjëherë të dy personat janë shoqëruar për në dhomat e paraburgimit pranë drejtorisë së policisë dhe ndërkohë është bërë dokumentimi dhe sekuestrimi i sasisë së municionit luftarak.

S. Gozhina

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›