E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dialekti, në shkollë duhet të flasim gjuhën letrare

Në vitin 2009, kur në qytetet kryesore janë grumbulluar shumica më e madhe e popullsisë, në shkolla, brenda një klase ka fëmijë të ardhur nga zona të ndryshme. Të gjithë këta fëmijë flasin në formën gjuhësore me të cilën komunikohet në familje, me prindërit, gjyshet dhe të afërmit. Në këtë konglomerat formash gjuhësore, të vetmet modele gjuhësore standarde që u ofrohen nxënësve, janë tekstet shkollore, librat artistikë, por edhe mënyra e ligjëratave të mësuesve. Duke u nisur nga këto kushte, specialistët e Institutit të Gjuhësisë mbrojnë tezën se mësuesit në shkolla, pavarësisht lëndës që japin, gjuhë, letërsi, gjeografi apo matematikë duhet të flasin rrjedhshëm, pastër, pa nota dialektore. Mësuesit e kanë të detyruar, për shkak të institucionit ku punojnë, të flasin gjuhën letrare. Ndërkohë që janë mësuesit që ofrojnë modele të formave gjuhësore për nxënësit dhe si të tillë duhet të respektojnë normat standarde. Vetëm kështu nxënësit mund të flasin rrjedhshëm, të formulojnë formën e duhur të gjuhës letrare duke krijuar rrjedhshmëri dhe elokuencë në artikulimin e saktë përgjatë gjithë jetës.

Gjuhëtarja

"Në ambientet publike dhe zyrtare, gjuha e folur duhet të jetë letrare, pavarësisht nga mënyra se si flasin autoritetet, apo forma e përdorur kur shkruajmë një poezi ose një libër artistik. Në shkollat 9-vjeçare përdorimi i gjuhës letrare është i detyruar, njësoj siç është i detyruar përdorimi i gjuhës letrare në institucione, në libra shkollorë dhe në ambiente publike", sqaroi Adelina Çerpja, specialiste pranë Institutit të Gjuhësisë. Sipas saj, është e patolerueshme që një mësuese që jep gjuhë, letërsi, apo çdo lëndë tjetër të flasë në dialekt, pa respektuar normat standarde të gjuhës letrare.

"Mësuesit janë modele në disa aspekte, sidomos në mënyrën e ligjërimit. Nëse flasim për qytetet e mëdha, duhet thënë se në Tiranë, Durrës apo në Fier, në shkolla ka nxënës të ndryshëm të cilët flasin në gegërisht dhe në toskërisht. Nxënësit, të ndodhur në një presion të tillë, kanë nevojë për modele për të fituar mënyrën e formulimit të fjalive, duke komunikuar rrjedhshëm", thekson gjuhëtarja. Ajo vijon duke thënë se: "në një kohë kur shokët e shoqet flasin në dialekt, i vetmi model gjuhësor mbetet libri shkollor, libri artistik, mësuesi, mësuesja. Absolutisht të gjithë duhet të flasin gjuhë letrare, pavarësisht se mund të ketë edhe nuanca të intonacionit. Ajo që nuk tolerohet është dialekti i mirëfilltë", shprehet specialistja e Institutit të Gjuhësisë, Adelina Çerpja.

Modelet

Ndër modelet që ndihmojnë nxënësit në artikulim të saktë dhe të rrjedhshëm është sistemi arsimor, librat, mësuesit, prindërit, televizioni, radio, gazeta.

"Këto janë disa nga modelet që ndihmojnë nxënësit në krijimin e modeleve, ndërkohë që mësuesi mbetet tepër i rëndësishëm. Mësuesi flet për format rasore, zgjedhon folje, prandaj nevojitet që këtë proces ta kryejë saktësisht. Në rast se nxënësit dëgjojnë mësues që flasin në dialekt, pavarësisht se në mendje idetë mund t‘i kenë shumë të qarta, do të kishin vështirësi të flisnin rrjedhshëm. Kjo do të sillte që ata të flisnin me fjali të shkurtra e nuk do të arrinin të shpreheshin plotësisht dhe kjo mënyrë do të ishte e tillë gjatë gjithë jetës", përfundon Çerpja.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›