Superhajdutët minorenë, tmerri i banorëve kryeqytetas
Policia e Prokuroria: Duhet hapur një institucion riedukimi për minorenët nën 14 vjeç, janë të papërmbajtshëm për vjedhje banesash e makinash. M.C. e E.H. akuzohen për mbi 200 vjedhje secili
Të etiketuar si superhajdutë, tmerr i banorëve kryeqytetas dhe i drejtuesve të automjeteve, ndërkohë që mosha e tyre nuk i kalon të katërmbëdhjetat. Të vegjël në moshë, njëri 11 dhe tjetri 13 vjeç, por mbi supe mbajnë mbi 200 vjedhje banesash e automjetesh secili. Çdo vjedhje banesash në Tiranë mban “firmën” e tyre, herë në bashkëpunim dhe herë veç e veç. Janë kthyer në tmerr për banorët e Tiranës, pasi në pjesën më të madhe të familjeve kanë “bujtur” nga një herë, duke marrë ku 500 e ku 1 mijë euro. Në mjaft raste edhe shuma më të mëdha. Inspektorëve të seksionit të vjedhjeve në komisariate nuk u duhet shumë kohë për të rënë në gjurmë të autorëve të vjedhjeve të këtyre banesave, pasi, duke qenë gjithmonë të dyshuarit kryesorë dy të miturit, ndalohen të parët dhe asnjëherë nuk mohojnë atë që kanë kryer. Arsyeja është mjaft e thjeshtë, janë plotësisht të ndërgjegjshëm se nuk i kap ligji dhe ndaj tyre nuk mund të merret asnjë masë. Bëhet fjalë për dy minorenët M.C. e E.H., të cilët janë të vetmit persona që “vizitojnë” më shpesh komisariatet e policisë në kryeqytet, të akuzuar për vjedhje. Madje inspektorët në rastin e shoqërimit të tyre nuk kanë probleme në pranimin e vjedhjeve, pasi 11-vjeçari M.C. e 13-vjeçari E.H. gjithmonë thonë të vërtetën mbi vjedhjen që kanë kryer, kur dhe mënyrën se si. Por, i vetmi fakt që në polici ngelet gjithmonë pa zbardhur në rastet e vjedhjeve, sipas burimeve nga policia, është destinacioni ku përfundojnë paratë e vjedhura. Të miturit shpjegojnë me detaje si ka ndodhur, cilën banesë kanë vjedhur, orën kur ndodhi vjedhja, por asnjëherë ku përfundojnë realisht paratë e vjedhura. Sipas burimeve policore, i vetmi version që japin dy minorenët superhajdutë është se i kanë lënë nëpër ruleta.
Dyshimi
“Arrijmë të zbardhim komplet vjedhjet e kryera prej tyre, taktikën e përdorur, sepse janë specialistë vjedhjesh, por asnjëherë nuk kemi mësuar destinacionin ku kanë përfunduar paratë që vjedhin nëpër banesa. Nuk janë pak, herë 500 euro, herë 1000 dhe herë shumë më tepër dhe, asnjëherë atyre nuk u gjendet gjë”, - shprehet një prej inspektorëve të seksionit të vjedhjeve, duke shtuar se “dyshojmë se paratë përfundojnë te prindërit e tyre. Nuk ka asnjë mundësi që ata t’i harxhojnë paratë nëpër ruleta, aq më tepër që nuk i lejon njeri në atë moshë të hyjnë dhe jo më të luajnë në ato ambiente. Është e vetmja pikë ku na gënjejnë. Por, ndonëse kemi dyshime, nuk mund t’i vërtetojmë, sepse asnjë bankë nuk të jep të dhëna mbi llogaritë personale të klientit. Ndërkohë që E.H. që është edhe dy vjet më i madh se M.C., shpesh kemi vërtetuar se i përdor paratë që vjedh edhe për të plotësuar qejfet e veta. Njëherë kishte marrë një shtëpi me qira te “Piaca”, në të cilën jetonte me dy vajza. Jetesë prej pashai, nuk kishe çfarë t’i thoshe. Familjen nuk e pyet fare dhe as ata nuk janë në gjendje ta kontrollojnë, ndërkohë që bëhet bishë nëse dëgjon apo sheh që i ndalon ndonjërin nga pjesëtarët e familjes”. Megjithatë, dy minorenët vazhdojnë të jenë të papërmbajtshëm në vjedhjet e banesave. Po sipas të njëjtit burim policor, janë mjaft ekspertë në vjedhje. Herë veprojnë bashkë dhe herë të ndarë. “E dimë që janë të papërmbajtshëm në vjedhje, por nuk kemi çfarë t’u bëjmë, nuk ka ligj që i dënon dhe ata këtë fakt e dinë. Janë mjaft të ndërgjegjshëm që nuk i penalizon dot për shkak të moshës, mjaft të zgjuar të cilën e përdorin në funksion të keqes, ndaj dhe vazhdojnë me vjedhje banesash apo automjetesh”, - vijon rrëfimin inspektori, duke u shprehur se dy minorenët janë kthyer një shqetësim për të gjitha komisariatet, sepse edhe vendet ku vjedhin, shtrihen në hapësirën e gjithë kryeqytetit.
Vjedhjet
Nuk vjedhin ku t’i zërë momenti. Studiojnë banesën ku do hyjnë. Taktikën e kanë të njëjtë. Trokasin nëpër dyer, të cilat në shumicën e rasteve i gjejnë të hapura, hyjnë dhe marrin çfarë kanë si pikësynim, kryesisht para ose sende të çmuara. Njëri nga minorenët, 11-vjeçari M.C. na tregonte se si kishte hyrë në një banesë. E kishte gjetur derën hapur. Kishte hyrë brenda dhe sheh të zonjën e shtëpisë që shihte televizor, dëgjonte muzikë. Ajo shihte televizor në kuzhinë, ndërsa ky tregonte se mori lekët dhe pastaj kishte hipur mbi krevatin dopio të të zotëve të shtëpisë dhe hidhej sipas muzikës që dëgjonte gruaja në kuzhinë. As që e kishte ndier fare, tregonte M.C., i cili, pasi kishte luajtur për pak kohë në dhomën e gjumit, kishte dalë andej pa u ndier”, - rrëfen burimi ynë nga policia, duke shtuar se “u bëjmë apel të gjithë banorëve kryeqytetas dhe në rrethina se nuk u kushton asgjë t’i vënë llozin derës kur hyjnë brenda”. Megjithatë, shton ai, banesat nuk janë i vetmi objektiv i tyre, pasi janë të tmerrshëm edhe për vjedhje automjetesh dhe motorësh. “Ta vjedhin makinën sa hap e mbyll sytë dhe nuk të besohet se ta kanë marrë ata. Janë të vegjël në trup dhe për moshën që kanë nuk arrin ta besosh se janë të aftë për të drejtuar një automjet. Por, M.C. ka aftësi aq të mira drejtuese, saqë nuk e ka aspak problem të ta marrë makinën, qoftë ajo edhe fuoristradë. I ka ndodhur dikujt që ia kishte marrë makinën dhe pasi kaloi nëpër Bathore mori rrugën drejt Lezhës. Ka qenë vetë babai i tij që ia ktheu makinën të zotit. Nuk arrin dot të parashikosh se çfarë janë në gjendje të bëjnë, por edhe ne e kemi të pamundur t’i shoqërojmë si badigardë gjatë gjithë ditës secilin”, - përfundon inspektori i seksionit të vjedhjeve.
Zgjidhja, një institucion riedukimi
Cila do të ishte zgjidhja për këta dy të mitur, por edhe të tjerë gati njësoj si ata? Sipas burimit tonë nga policia, por edhe pasi pyetëm prokurorë të seksionit penal për të mitur, zgjidhja do të ishte një institucion riedukimi për të miturit nën 14 vjeç, të cilët nuk i kap ligji. Në momentin që kryejnë një vjedhje apo vepër tjetër penale, të penalizohen duke i futur në një qendër të tillë, e cila dikur ka ekzistuar. Sepse, përndryshe, vjedhjet do vazhdojnë dhe nuk mund, jo vetëm t’i dënosh, por edhe t’i frenosh për vjedhjet që kryejnë. Jo vetëm burimi ynë nga policia, por edhe nga akuza, u shprehën se ata fëmijë janë të bindur që nuk i kap ligji dhe vazhdojnë të vjedhin. Atyre, sipas burimeve, u duhet çrrënjosur kjo ide, nëpërmjet ndalimit dhe akomodimit në një qendër riedukimi, ku të jenë të izoluar dhe të kenë një ambient rehabilitues dhe edukues brenda. Nuk ka asnjë zgjidhje tjetër për momentin, duke pasur parasysh se vjedhjet nga të miturit po shtohen së tepërmi. Inspektorët e seksionit të vjedhjeve japin alarmin. Numri i fëmijëve të përfshirë në vepra të ndryshme penale, herë edhe të përdorur nga më të rriturit për shkak të faktit që nuk i kap ligji, është rritur.