Aksioni antikanabis prangos një 65-vjeçar
Kultivon kanabis, prangoset një 65-vjeçar nga fshati Vlahën i Hasit. Burime zyrtare të policisë bëjnë të ditur se në kuadër të operacioneve për zbulimin dhe asgjësimin e bimëve narkotike, në fshatrat Vlahën dhe Qarr të Komunës Golaj të Hasit është prangosur Ibrahim Gradica, nga fshati Vlahën, pasi gjatë kontrollit të ushtruar në banesë, i janë gjetur në kopsht 60 rrënjë kanabis sativa. Ndërkohë, mësohet se një parcelë tjetër me kanabis është zbuluar në lagjen "Bardhosh" të fshatit Qarr të Komunës Golaj ku janë gjetur dhe djegur 400 rrënjë kanabis, por në rastin e fundit policia nuk ka autorë.